Ylli Manjani thotë se tashmë nuk ka më asnjë vlerë nëse Sali Berisha ikën nga drejtimi i Partisë Demokratike apo kjo e fundit shkrihet fare.
Sipas tij, PD ka 14 vjet që nuk fiton dot asnjë palë zgjedhje, dhe atëhere këtë gjë e bënte me ndihmën e LSI, Hysni Milloshit dhe Arben Ristanit.
“Kur s’i duhesh më as dreqit..
Rri apo ikën Sali Berisha nga PD, e ul apo jo qepenin PD nuk më intereson më fare. Po fare, fare.
Fakt është që PD betejën e fundit elektorale në këtë vend e ka fituar në 2011, kur me ndihmën e LSI dhe veçanërisht të Hysni Milloshit ndjesë pastë, fitoi bashkinë e Tiranës me atë grusht votash në kutinë e gabuar.
Këto të fundit ua numëroi Arben Ristani, të cilin PD, Luli e Berisha e trajtuan me mosmirënjohje.
Por që nga 2011 e deri më sot nuk ka fituar asnjë betejë elektorale.
Tani, një parti që ka 14 vite që nuk fiton asnjë palë zgjedhje, kujt i duhet?!
Disa thonë se duhet opozitë. Poooooo, padyshim duhet opozitë.
Por PD as për opozitë nuk bën më. Se nuk ka opozitë që nuk arrin të fitojë për 14 vite dhe, me shumë gjasë as 14 vitet e ardhme.
S’ka se si të jesh opozitë e mirë kur nuk je alternativë serioze.
Nuk po analizoj këtu kaosin politik me mesazhet kundërthënëse e dështake që PD e Lulit dhe Berishës ka dhënë gjithë këto vite.
As me mllefin idiot që kanë ndaj njerëzve të cilët i kategorizojnë si “të lirë” kur flasin si do partia e votojnë për të dhe, “të shitur” kur nuk flasin si ata dhe as i votojnë.
As me qurravitjet e përhershme që “na vodhën zgjedhjet”.
Kohë e humbur me thënë të drejtën.
Kështu që në daç të rrinë, në daç të ikin. Të bëjn ça t’u dojë qejfi.
Fakt është se ata nuk i duhen më askujt”, shkruan Manjani.