Nuk i ka ndodhur kurrë më parë. Berat Gjimshiti pikërisht në dy sezonet e fundit ka luajtur një numër tepër të madh ndeshjesh, siç nuk e ka bërë në karrierë vitet e kaluar.
Kapiteni I kombëtares shqiptare, në 2023-2024 dhe deri tani në 2024-2025, ka dalë në fushë plot 108 herë, ndërsa këtë të diel pritet të luajë ndeshjen numër 109!
Nëse nuk do të ketë probleme fizike, pritet të arrijë shifrën rekord 115 sfida në dy edicione.
Mbrojtësi i qendrës këtë sezon ka luajtur 41 herë për Atalantën, më pak sesa vjet, edhe sepse ka vuajtur nga dëmtimet.
Gjithsesi, ka dhënë kontribut të rëndësishëm me dy gola dhe dy asiste, më shumë në Serinë A, por një rrjetë e ka realizuar në Champions.
Vitin e kaluar, luajti plot 54 ndeshje, edhe sepse Atalanta arriti deri në finalen e Kupës së Italisë, si dhe fitoi Ligën e Europës, 3-0 në finale ndaj Leverkusenit, duel në të cilin Gjimshiti ishte kapiten.
Përveç paraqitjeve për klubin e tij në Itali dhe në Europë, lojtari nga Lugina e Preshevës këta dy vjet luajti edhe 13 ndeshje për kombëtaren.
Ky kontribut do të kishte qenë edhe më I madh, por vjeshtën e kaluar ai pati disa dëmtime dhe I humbi të 6 sfidat e ekipit përfaqësues në grupin e Ligës së Kombeve.