Nesër shënohen 15 vite nga masakra e 21 Janarit 2011, kur gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, katër qytetarë humbën jetën nga armët e Gardës së Republikës.
Në prag të përvjetorit, deputeti socialist Erion Braçe ka rikthyer thirrjen për drejtësi, duke ripostuar fjalën e mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste në dhjetor 2023. Braçe e cilëson ngjarjen si “pushkatim politik nga shteti”, një akt të paprecedentë në një vend demokratik.
Sipas tij, përdorimi i forcës vdekjeprurëse është monopol i shtetit vetëm në kushte ligjore, ndërsa më 21 Janar ajo u përdor në shkelje të ligjit, duke përbërë vrasje me dashje. Deputeti thekson se, pavarësisht rëndësisë së krimit, për 15 vite me radhë askush nuk është shpallur fajtor dhe askush nuk ka vuajtur dënim me burg për vrasjen e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës.
“Kjo është e vetmja ngjarje në demokraci ku shteti ka pushkatuar qytetarët e vet dhe ka mbetur pa asnjë përgjegjës,” shprehet Braçe, duke nënvizuar se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
Kujtohet se më 12 mars 2024, pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë të asaj kohe, përfshirë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin.
Në korrik 2024, SPAK njoftoi se kishte regjistruar zyrtarisht procedimin penal për vrasjen e katër protestuesve, ndërsa në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Për 15 vite me radhë, 21 Janari mbetet një plagë e hapur e drejtësisë shqiptare, me katër viktima dhe pa asnjë përgjegjës të ndëshkuar.



