back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaMasakra në Shkodër/ Si u la i lirë atentatori nga Gjykata, vendimi

Masakra në Shkodër/ Si u la i lirë atentatori nga Gjykata, vendimi

E Vërteta.al ka siguruar vendimin e gjykatës që çoi në lirimin nga burgu të Ragip Gilës, personit të dyshuar si autor i atentatit të ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër.

Ngjarja tronditi qytetin, duke shkaktuar dy viktima dhe dy të plagosur. Viktimat ishin Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, dhe Liridon Kraja, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Vaso, i njohur si Erogen Brajoviç, dhe kamarierja Meri Kaceri.

Sipas vendimit gjyqësor të marrë nga gjyqtari Albert Keraj, Gila kishte qenë më parë i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, me 5 vite burgim. Duke u bazuar në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon mundësinë e gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 3 vite e 4 muaj burgim.

Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe ka vendosur që Ragip Gila të vihet nën provë për një periudhë 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, Gila duhet të respektojë kushtin e moskryerjes së veprave të tjera penale, në të kundërt rrezikon ekzekutimin e dënimit fillestar.

Ragip Gila ishte arrestuar më 12 qershor 2023, pas një kontrolli në banesën e tij ku policia zbuloi një arsenal armësh, municion luftarak, jelekë antiplumb dhe lëndë narkotike. Ai u procedua për disa vepra penale të rënda, duke përfshirë prodhimin dhe shitjen e narkotikëve (dënim 5-15 vjet), mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municionit (dënim 5-15 vjet) dhe mbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive.

Tani, Gila është nën hetim si i dyshuar kryesor për atentatin e ndodhur në Shkodër. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në publik dhe politikë, ndërsa hetimet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë vijojnë për identifikimin e të gjithë autorëve dhe zbardhjen e motivit të sulmit.

Vendimi i gjykatës ka ngjallur debate në opinionin publik, duke nxitur diskutime mbi mënyrën e trajtimit të personave me precedentë penalë dhe rrezikun e mundshëm për sigurinë qytetare. Autoritetet bëjnë apel për bashkëpunim nga qytetarët për të ndihmuar hetimet dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të tilla në të ardhmen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat