Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, ka informuar qytetarët lidhur me raste të shtuara të mashtrimeve online që lidhen me oferta të rreme për kredi.
Në një njoftim për mediat, Policia bën apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm, pasi qëllimi i këtyre skemave mashtruese është përvetësimi i të dhënave personale dhe financiare, si dhe përfitimi monetar në mënyrë të paligjshme.
Sipas Policisë, janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi.
“Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në këtë kuadër, Policia këshillon qytetarët:
-
Të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar ose faqe interneti të pasigurta.
-
Të verifikojnë gjithmonë informacionin përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare.
-
Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që në rast dyshimi të raportojnë menjëherë rastet e mashtrimit pranë strukturave përkatëse, për të parandaluar përhapjen e këtyre skemave mashtruese.



