Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka reaguar ashpër pas deklaratës së Fatmir Mediut në sallën e gjyqit për çështjen “Gërdeci”, ku ish-ministri i Mbrojtjes po përballet me drejtësinë për tragjedinë që mori jetën e 26 personave.
Në seancën e fundit gjyqësore, Mediu deklaroi se “gjashtë kongresmenë amerikanë kanë firmosur një letër drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë”, përmes së cilës kërkohet që të pranohen si provë dëshmitë me afidavit të personaliteteve ushtarake dhe politike amerikane.
Por për Evi Kokalarin, kjo është një përpjekje për të manipuluar drejtësinë dhe për të shpëtuar nga përgjegjësia penale, njësoj si në të kaluarën.
“Fatmir Mediu, publiko letrën ose emrat e kongresmenëve që kanë firmosur këtë letër që i ke dhënë gjykatës!” – shkruan Kokalari në një postim të fortë në rrjetet sociale.
Ajo paralajmëron se është duke përgatitur dërgimin e fakteve konkrete në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, që sipas saj, vërtetojnë se Mediu dhe Shkëlzen Berisha kanë mashtruar vetëdijshëm në lidhje me ri-paketimin e municioneve që çoi në tragjedinë e Gërdecit.
“E vetmja gjë që dua të bëj është t’ju dërgoj fakte mbi ri-paketimin e municioneve që bëtë ti me Shkëlzenin, kur mashtruat me vetëdije të plotë Departamentin e Mbrojtjes këtu në Amerikë. Po ta them: unë ty nuk të ndahem,” – thekson Kokalari.
Aktivistja hedh edhe dyshime për lidhje të dyshimta të Mediut me zyrtarë amerikanë, duke përmendur kongresmenin Robert Aderholt, për të cilin pyet pse ka vizituar Shqipërinë plot 64 herë.
“FBI duhet të bëjë një hetim të detajuar për lidhjet e tua me Kongresin. Pse është Aderholt kaq afër me ty? Pse ka qenë 64 herë në Shqipëri?” – shkruan ajo.
Në përfundim të reagimit, Kokalari i bën thirrje drejtësisë shqiptare të mos lejojë asnjë lloj ndikimi politik apo diplomatik mbi procesin gjyqësor të Gërdecit, duke paralajmëruar se “të gjithë ata që mashtruan do të demaskohen”.
Postimi i Kokalarit
Fatmir Mediu publiko letren ose emrat e kongresmeneve qe kane firmosur kete leter qe i ke dhene gjykates.
E vetmja gje qe dua te bej eshte t’ju dergoj fakte mbi ri-paketimin e municioneve qe bere ti me Shkelzenin kur mashtruat me vetedije te plote Departamentin e Mbrojtjes ketu ne Amerike!!!
Po ta them, une ty nuk te ndahem. Nuk e kupton qe ti drejtesise nuk i shpeton?
Ne fakt, pervec SPAK, FBI duhet te bejë nje investigim te detajuar mbi lidhjet e tua me kongresin.
Pse eshte Aderholt kaq afer me ty? Pse ka qene Aderholt 64 here ne Shqiperi?
Ju te gjithe qe mashtroni keta ketu, do demaskoheni, derisa mos të keni zgjidhje tjeter por te dilni perpara drejtesise shqiptare pa i beri asnje presion prokureve apo gjykateseve!!!
***
“6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës, të dhëna në SHBA vullnetarisht me afidavit – që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin amerikan të drejtësisë – të merren parasysh në procesin ‘Gërdeci’,” deklaroi Mediu në sallën e gjyqit.”