Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka njoftuar pas mbledhjes së grupit se në ditët e ardhshme do të formalizohet ngritja e dy komisioneve parlamentare, një prej të cilëve do të fokusohet në Reformën Zgjedhore.
“Në mbyllje të mbledhjes së grupit duhet t’ju informoj se grupi i PS do të institucionalizojë në ditët në vijim dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve, një prej të cilave është komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore. Është bërë një punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar,” tha ai.
Mazhoranca synon që me ngritjen e këtij komisioni të nisë zyrtarisht procesi i rishikimit të Kodit Zgjedhor dhe të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit. Komisioni i posaçëm pritet të ketë përfaqësues nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe opozitën, me qëllim arritjen e një konsensusi të gjerë.
Komisioni tjetër që pritet të ngrihet do të ketë gjithashtu karakter të posaçëm, megjithëse detajet e plota nuk janë bërë ende publike.
Vendimi i mazhorancës për të hapur procesin e reformës vjen vetëm pak muaj para zgjedhjeve të reja, duke e bërë këtë një nga çështjet më të nxehta të axhendës politike në sesionin parlamentar të vjeshtës.