Real Madrid po kalon një moment të vështirë, fakt që u vërtetua edhe një herë në transfertën përballë Bilbao-s, kjo ishte humbja e dytë në La Liga, e pesta në total këtë sezon. Në këtë periudhë të vështirë, në qendër të kritikave ka përfunduar Kylian Mbappe.
Të gjithë prisnin që me të në formacion, Reali do të ishte edhe më i frikshëm, por po ndodh totalisht e kundërta, mbase vetëm C.Ronaldo e kishte parashikuar pasi kur u pyet për transferimin e tij në Madrid u shfaq dyshues duke theksuar se Reali nuk është PSG.
Ndaj Bilbao-s, Mbappe humbi penalltinë e dytë radhazi, kaq ka mjaftuar që mediat në Spanjë të ngrenë gishtin kundër tij, e bënë diçka të tillë edhe pas takimit kundër Liverpool. Pavarësisht se Mbappe po kritikohet shumë, shifrat e tij në sezonin e parë në Madrid nuk janë dhe aq negative.
Në 20 ndeshje në të gjithë kompeticionet, Mbappe ka realizuar 10 gola dhe 2 assiste. 8 gola i ka shënuar në La Liga, por 3 prej tyre me penallti, 1 gol në Champions dhe 1 në Superkupën e Evropës përballë Atalanta-s.
Thuajse në çdo dalje publike, Carlo Ancelotti ka qenë i detyruar t’i dalë në krah yllit francez, por mediat në Spanjë flasin për një film horror, një paraqitje e gjitha për t’u harruar./BW