Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka konfirmuar se çështja e njohur si “McGonigal” është ende në fazën e hetimeve paraprake.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, lidhur me ecurinë e hetimeve për këtë dosje që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
“Sa i takon çështjes që ju e quani “McGonigal”, po, është në fazën e hetimit paraprak. Janë kryer hetime në vend, por jemi në pritje të autoriteteve të huaja, pasi duhet edhe bashkëpunimi i tyre. Jemi në pritje të përgjigjes për ndihmë juridike që u kemi kërkuar me shkrim,” – deklaroi Dumani.
Sipas kreut të SPAK, hetimet kanë përfshirë një sërë veprimesh brenda territorit shqiptar, ndërkohë që pritet përgjigjja zyrtare nga autoritetet amerikane, që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.
Kush është Charles McGonigal?
Charles McGonigal, ish-shef i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është dënuar në SHBA për pastrim parash dhe lidhje të paligjshme me oligarkun rus Oleg Deripaska.
Emri i tij është përfshirë në debatin politik në Shqipëri, pasi opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka pasur lidhje me McGonigal përmes një ndërmjetësi shqiptar, nga i cili ish-agjenti i FBI-së dyshohet se ka përfituar rreth 200 mijë dollarë.
Megjithatë, SPAK deri më tani nuk ka dhënë detaje mbi personat konkretë nën hetim, duke theksuar se procesi është ende në fazë paraprake dhe se do të vijojë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.