back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Më mbajnë të martuar me Monikën me zor”/ Ilir Meta sulmon SPAK-un...

“Më mbajnë të martuar me Monikën me zor”/ Ilir Meta sulmon SPAK-un nga burgu

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish nga qelia me një deklaratë të ashpër kundër Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të cilën e cilëson si “organizatë kriminale” që, sipas tij, vepron në shërbim të interesave politike të Partisë Socialiste.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Meta hedh poshtë të gjitha pretendimet për përfshirjen e tij në një çështje që lidhet me një kartë bankare të padeklaruar, duke theksuar se emri i tij nuk është përmendur në asnjë dokument të autoriteteve amerikane dhe se akuzat janë produkt i një fushate dizinformuese të shpërndarë në media të cilat, sipas tij, “kontrollohen nga paratë e inceneratorëve”.

“Ky është një skenar i pastër politik që ka për qëllim të diskreditojë jo vetëm figurën time, por dhe opozitën që unë përfaqësoj,” – shprehet Meta, duke paralajmëruar publikimin e dokumentacionit të plotë që, sipas tij, do të faktojë se nuk ekziston asnjë referencë komprometuese ndaj tij nga autoritetet amerikane.

Një tjetër detaj që Meta e cilëson si “provë të qartë të keqdashjes dhe manipulimit të qëllimshëm”, është mënyra se si është paraqitur në aktakuzën e SPAK-ut – si ende i martuar me Monika Kryemadhin. Ai thekson se kjo marrëdhënie është përfunduar zyrtarisht prej kohësh, dhe se kjo gjë është në dijeni të plotë të autoriteteve.

“SPAK është kaq i zbuluar në aktivitetin e tij kriminal dhe të njëanshëm politik, saqë është obsesuar të më paraqesë ende në çift me Monikën. Po ashtu siç Pilo Peristeri përpiqej të mbante çiftet me dhunë,” – ironizon Meta në reagimin e tij.

Ish-Presidenti nënvizon se ky detaj nuk është thjesht një pasaktësi formale, por sipas tij, është pjesë e qëllimeve për ta ekspozuar në mënyrë të manipuluar përpara publikut. Ai insiston se SPAK po vepron nën diktat politik dhe jo mbi bazën e ligjit.

Meta ndodhet në paraburgim për çështje që lidhen me hetime të nisura nga SPAK, përfshirë dyshime mbi pasurinë dhe përdorimin e fondeve të dyshimta. Ai dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar të gjithë procesin si një sulm të mirëorganizuar politik, ndërsa autoritetet hetuese mbrojnë ligjshmërinë dhe pavarësinë e veprimeve të tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat