Bashkimi Europian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri digjital për kontrollin kufitar, të njohur si Entry/Exit System (EES), më 12 tetor 2025. Ky sistem do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për të gjithë udhëtarët që nuk janë shtetas të BE-së, përfshirë qytetarët britanikë dhe shqiptarët që udhëtojnë pa viza.
Sipas Komisionit Europian, EES do të zëvendësojë praktikën aktuale të vulosjes së pasaportave dhe do të regjistrojë në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e udhëtarëve në 29 vende të zonës Shengen dhe BE-së.
Zbatimi do të bëhet gradualisht për një periudhë prej gjashtë muajsh, me qëllim që të shmangen kaoset në kufi gjatë periudhës së pushimeve dimërore dhe pranverore të vitit të ardhshëm.
Çfarë përfshin sistemi i ri?
EES do të mbledhë të dhëna biometrike – gjurmë gishtash ose skanim të fytyrës – nga udhëtarët që kalojnë kufijtë për herë të parë. Në hyrjet e mëvonshme, të dhënat do të përdoren për të verifikuar identitetin dhe për të llogaritur automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit.
Sistemi synon të:
Shpejtojë kalimin për udhëtarët e rregullt,
Luftojë migracionin e paligjshëm,
Sigurojë kontroll të saktë nëse dikush ka tejkaluar afatin e lejuar të qëndrimit (90 ditë brenda 180 ditëve).
Ndikimi për udhëtarët shqiptarë dhe britanikë
Edhe pse qytetarët shqiptarë gëzojnë regjim pa viza për hyrje afatshkurtra në BE, ata do të përfshihen në sistemin e ri. Në vend të vulës në pasaportë, hyrja dhe dalja do të regjistrohen digjitalisht. Në hyrjen e parë, udhëtari do të duhet të japë ose gjurmët e gishtave, ose skanimin e fytyrës – jo të dyja njëkohësisht.
Pajisjet për skanimin biometrik janë tashmë në ndërtim në pikat kyçe si terminali Eurostar në Londër dhe Porti i Doverit, ndërsa për udhëtimet me makinë, autobus apo kamion po krijohen struktura të veçanta.
Probleme në zbatim dhe mungesa teknologjike
Megjithëse autoritetet kufitare dhe operatorët rrugorë kanë kërkuar një aplikacion të posaçëm për të lehtësuar kalimin, kjo zgjidhje digjitale ende nuk është gati. Kjo pasi shtetet anëtare të BE-së janë përgjegjëse për integrimin e EES në sistemet e tyre kombëtare të emigracionit.
Ekspertët paralajmërojnë për radhë të gjata dhe ngarkesë në pikat kufitare, sidomos gjatë fazës së parë të implementimit, kur shumë udhëtarë do të kalojnë për herë të parë nëpër procesin e regjistrimit biometrik.
Sistemi EES, pjesë e projektit më të gjerë të “kufijve të zgjuar” të BE-së, pritet të shndërrojë mënyrën se si Europa menaxhon lëvizjen e udhëtarëve jo të BE-së, duke rritur sigurinë dhe automatizimin në hyrjet dhe daljet ndërkufitare.