Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi në një intervistë televizive se ai ka qenë personi që solli në Shqipëri strategun amerikan Chris La Civita, duke theksuar se marrëdhënia me të vijon ende.
“Unë jam marrë me Chris La Civita-n dhe ai e la të qartë situatën në Shqipëri. Grupi i tij nuk ishte vetëm ai, por shtatë persona. Ne donim të bënim betejën për opozitën, sepse nëse do të kishim një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, Partia Socialiste nuk do të arrinte 71 mandate. Kjo ishte lufta. Por pas asaj që iu bë opozitës me gjykatë, prokurori, ‘non grata’ dhe gjithçka tjetër, ndryshimi u bë i pamundur. Chris La Civita erdhi me mision për të forcuar opozitarizmin. Marrëdhënia vazhdon”, tha Mediu.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë fatura e angazhimit të strategut amerikan. Ajo nuk është bërë publike dhe nuk është depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, siç parashikojnë detyrimet ligjore për shpenzimet e fushatës.