Në Gjykatën e Posaçme vijon procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste lidhur me tragjedinë e Gërdecit.
Gjatë seancës së fundit, Mediu ka pretenduar se ekspertët e thirrur nga prokuroria për akt-ekspertizat tekniko-ushtarake ishin në një nivel të ulët ushtarak, dhe disa ushtarakë të lartë kishin kundërshtuar këto ekspertiza. Ai theksoi se prokurori nuk kishte njohuri për kalibrat, pasi ishte jurist, dhe se përgjegjësia për çështjet ushtarake i takonte Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak, duke theksuar se ministri i Mbrojtjes është civil.
“Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes”, deklaroi Mediu.
Sipas SPAK, Mediu akuzohet për shkelje të procedurave gjatë ngritjes së fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, pranë një zone të banuar. Tragjedia në 15 mars 2008 shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.
Çështja u rihap pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave, dhe gjyqi ndaj Mediu vijon që prej prillit 2023 në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve.



