Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet e mediave “Panorama” dhe “News24” se ekzistonte një kontratë qiraje e vlefshme deri në vitin 2033 për një godinë që iu rikthye shtetit dhe më pas iu dha kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve “KAYO” sh.a., pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Sipas MEKI-t, pasuria me numër kadastral 10/304, e administruar nga Ndërmarrja Industriale Nr. 1, nuk ka asnjë lidhje ligjore apo faktike me objektin e kaluar shoqërisë “Kayo” sh.a. me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025.
Ministria thekson se për këtë pasuri, Shoqëria “Panaroma Group” sh.a. ka grumbulluar detyrime të papaguara që nga shkurti i vitit 2017, të cilat deri në shtator 2021 kapnin vlerën e mbi 88 milionë lekëve qira dhe mbi 2.5 milionë lekëve kamatëvonesa. Aktualisht, përllogaritjet tregojnë një borxh që tejkalon 2 milionë euro.
Në vitin 2021, MEKI ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e kontratës për mospagim. Sipas reagimit, në vend që të shlyente detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka nisur padi dhe masa sigurimi për të penguar ekzekutimin e vendimit, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa pagesë një pasuri publike.
“Kjo sjellje është e padrejtë dhe e paligjshme, duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit dhe duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë,” – thekson ministria, duke shtuar se trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike, përfshirë mediat, është parim i panegociueshëm.
MEKI thotë se do të vijojë procedurat ligjore dhe administrative për arkëtimin e plotë të detyrimeve dhe administrimin efektiv të pasurisë shtetërore në interes të qytetarëve.
Reagimi i plotë i MEKI:
Në vijim të deklaratës publike mbi pasuritë shtetërore pranë ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, si dhe interesit të shtuar për informacion rreth dallimit mes pronave të Shoqërisë Kayo sh.a. dhe pronës 10/304 të pretenduar nga Shoqëria Panaroma Group sh.a., Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bën këtë sqarim vijues:
1. Pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr. 1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasuritë e kaluara shoqërisë Kayo sh.a. me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.
2. Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa). Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro; shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve.
3. Që në vitin 2021, palës i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara. Megjithatë, në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike. Kjo sjellje është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, poashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave.
MEKI vepron me kujdes institucional dhe respekt të plotë për lirinë e medias dhe të shprehjes. Por këto të drejta nuk mund të përdoren si justifikim ose si mekanizëm për të gëzuar padrejtësisht pronën publike dhe për të shmangur shlyerjen e detyrimeve kontraktuale. Trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike, qofshin këto edhe media, është parim themelor: është e padrejtë ndaj çdo aktiviteti të njëjtë që paguan taksa dhe qira në kohë, që disa të tjera të përfitojnë nga kontrata publike të dhëna në mirëbesim pa shlyer dhe pa respektuar detyrimet.
MEKI do të vijojë verifikimet proceduriale dhe do të ndërmarrë masat administrative dhe ligjore sipas kuadrit në fuqi për zbatimin e obligimeve të detyrueshme të menaxhimit financiar dhe garantimit të administrimit efektiv të pasurisë shtetërore në fjalë dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.