Monika Kryemadhi, ish-deputete dhe ish-kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ka paralajmëruar një rikthim të fuqishëm në media, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me hetimet ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për intimidimin e dëshmitarëve në dosjen e saj, duke e cilësuar këtë veprim si një formë të linçimit të qytetarëve që nuk japin dëshmi sipas dëshirës së SPAK-ut.
Ajo ka theksuar se shumë shpejt do të jetë e pranishme në të gjitha televizionet për të ndarë me publikun informacionet dhe provat që disponon, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të lidhur të gjithë dosjen dhe për të sqaruar akuzat e ngritura ndaj saj.
Dhe në fakt sonte, ajo do të bëjë daljen e parë, pas shumë kohësh, siç ka paralajmëruar në rrjete sociale.
Me heret, Kryemadhi ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi mungesën e hetimit të plotë dhe të paanshëm nga ana e SPAK-ut, duke e cilësuar procesin ndaj saj si një ndjekje politike që ka filluar pas denoncimit të çështjes së inceneratorëve.
Në lidhje me akuzat për korrupsion pasiv, Kryemadhi ka theksuar se është e paqartë se si mund të akuzohet për korrupsion pasiv kur nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv, duke e cilësuar këtë një çështje që do të duhet të sqarohet në gjykatë.
Ky rikthim i Kryemadhit në media pritet të sjellë zhvillime të reja në lidhje me hetimet ndaj saj dhe të ofrojë një mundësi për të sqaruar pozitat e saj në lidhje me akuzat e ngritura.