Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta me anë të një audio, ka dhënë mesazhin e tij nga burgu në Konventën e Partisë së Lirisë.
Sipas Metës, kryeministri Edi Rama vazhdon që të bëjë maskaradë antikushtetuese.
“Çfarë mashtruesi. Çdo nismë e kryeministrit Edi Rama është dështim. Ka qytetarë që thonë se kjo kompani i ka lënë në mes të rrugës. Do të përmbysim modelin ekonomik që mbështet vetëm ndërtimin. Do ta ulim ndjeshëm edhe çmimin e naftës. Duhet ta përmbysim këtë regjim, që fëmijët tanë mos të kthehen në skllevër modernë në vendin e tyre. Rama po largon çdo gjyqtar me integritet në GJK, që mos ketë asnjë mendim pakice, duke u kthyer në Duman-republikë. Rama po bën maskaradë antikushtetuese. Rama ka kapur për fyti SPAK-un dhe drejtësinë”, është shprehur Meta.
Më tej, Meta iu ka kërkuar anëtarëve të Partisë së Lirisë të shumëfishojnë përpjekjet e tyre për zgjedhjet e 11 majit.
“Ju kërkoj angazhim, që të largojmë këtë regjim antikombëtar. 11 maji mundësi historike për të larguar atë, që ka mbjellë mjerimin në vend. Ilir Metën nuk e largon nga politika as Rama, as Dumani, askush, do të zgjidhem deputet nga qytetarët e Shqipërisë, por edhe ata që do të votojnë kudo në diasporë. Ju kërkoj të shumëfishoni përpjekjet tuaja, që t’i japim fund kësaj drame dhe të arkivojmë këtë Rilindje, që ishte drama më e madhe për popullin shqiptar. Kauzat tona janë të shenjta për popullin shqiptar”, ka thënë më tej Meta.