Gazetari dhe analisti Nikoll Lesi ka deklaruar se nuk ka arsye që Ilir Meta dhe Erion Veliaj të mbahen në burg, tani që dosjet e tyre kanë shkuar për gjykim.
Sipas Lesit, deri kohët e fundit, qëndrimi në paraburgim ishte i justifikuar për shkak të hetimeve nga SPAK dhe rrezikut për prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve. Por tashmë që dosjet janë dërguar në gjykatë, provat janë në dispozicion të gjykatës dhe është koha që Meta e Veliaj të lirohen nga burgu.
“Dosjet kanë shkuar në gjykatë dhe nuk ka se çfarë të prishin më. Gjykata do të vendosë nëse do ketë dënim apo jo. Por liria e tyre deri në gjykim është normale dhe e drejtë”, shkruan Lesi në gazetën e tij.
Ai shton se një gjyq publik mund të jetë më i fortë sesa ai gjyqësor dhe kërkon që të dy politikanët të përballen me publikun dhe drejtësinë pa pranga, duke u kthyer në burg vetëm në rast se gjykata e vendos kështu pas hetimit.



