back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 13 Prill, 2025
spot_img
KreuTeknologji / ShkencëMicrosoft-i mbush 50 vjet, si nisi kompania?

Microsoft-i mbush 50 vjet, si nisi kompania?

Nëse po mendoni si të përshkruani ritmin marramendës të historisë, mjafton të shikoni kompaninë amerikane Microsoft. Kompania u krijua kur kompjuterët mezi futeshin në bodrume dhe konsideroheshin lodra për të pasurit. Ka kaluar vetëm gjysmë shekulli që atëherë.

Në prill 2025, Microsofti mbushi 50 vjet.

Në vitet e para të Microsoft-it, Bill Gates punonte me altoparlantë të mëdhenj që ushtonin tingujt e grupeve muzikore si Led Zeppelin, Creedence dhe Grand Funk, që ishin në modë asokohe.

I dhënë pas punës, Gates shpesh flinte në divanin e zyrës dhe punësonte vetëm njerëz që ishin të gatshëm të punonin 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

Në një kompani ku punëtori më i vjetër [bashkëthemeluesi Paul Allen] ishte vetëm 25 vjeç, motoja ishte: “Mos i beso askujt mbi 30 vjeç”. Kjo ishte një thënie e famshme mes hipive nga vitet e fundit të viteve ’60 – pikërisht koha kur Gates dhe Allen u bënë miq në gjimnaz.

Megjithëse kishin pothuajse tre vjet diferencë në moshë, ata u bashkuan nga pasioni i përbashkët për programimin dhe kompjuterët – atëherë që dukeshin si dollapë metalikë me drita që pulsonin, të vendosur në dhoma me sistem ftohjeje.

Qasja në këto kompjuterë ishte e kufizuar dhe shumë e shtrenjtë.

Bill Gates [djathtas] me Paul Allen në Shkollën Lakeside, 1970.
Bill Gates [djathtas] me Paul Allen në Shkollën Lakeside, 1970.

A e kujton ndokush kohën kur programimi bëhej në kartela të shpuara prej kartoni të ngjeshur? Në një intervistë dhënë një muaj më parë, Gates tha se ende dinte të programonte në atë mënyrë. Megjithatë, në agimin e Microsoft-it, tashmë kishin dominuar metodat elektronike të programimit me regjistrim magnetik në disqe.

Diçka që mund të mbahej në dorë

Të impresionuar nga prezantimi i kompjuterit Altair 8800 në revistën Popular Electronics, Allen dhe Gates e kuptuan se po afrohej një revolucion teknologjik, rezultat i të cilit do të ishte depërtimi i kompjuterëve në të gjitha sferat e jetës.

Altair 8800 ishte një mrekulli teknike për kohën, pasi përfshinte teknologji që deri atëherë gjendeshin vetëm në makinat e mëdha, të rënda që funksiononin në bodrumet me sistem ftohjeje të korporatave gjigante.

Allen dhe Gates kuptuan se e ardhmja qëndronte pikërisht te mundësia që Altair 8800 të transportohej lehtësisht dhe kudo.

Prania e kompjuterëve në jetën tonë të përditshme sot është aq e zakonshme saqë nuk e mendojmë që vetëm gjysmë shekulli më parë, bota dukej krejt ndryshe nga pikëpamja teknologjike.

Në atë kohë, shumë kompani në Kaliforni të SHBA-së filluan të prodhonin kompjuterë relativisht portativë, secili me sistemin e vet operativ primitiv dhe një grup modest programesh.

Por, nuk kishte një vizion të madh, as standarde të përbashkëta. Kompjuterët perceptoheshin si lodra të shtrenjta për një segment të ngushtë specialistësh.

Allen i tregon Gatesit revistën me kompjuterin e ri dhe i thotë: “Kjo po ndodh pa ne. Duhet të bëjmë diçka”.

Paul Allen dhe Bill Gates, rreth vitit 1980.
Paul Allen dhe Bill Gates, rreth vitit 1980.

Tregu i programeve për kompjuterë personalë ishte drejt zgjerimit, dhe dy partnerët kishin plot ide për ta mbushur këtë boshllëk.

Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, 19-vjeçari Gates braktisi Harvardin [29 vjet më vonë, një tjetër student i vitit të dytë në atë universitet, Mark Zuckerberg, do të bënte të njëjtën gjë] dhe, së bashku me Allen, themeloi kompaninë e quajtur Micro Soft në prill 1975. E përkthyer, kjo do të thotë “I vogël dhe i butë” dhe, natyrisht, u bë objekt shakash.

Në vitin 1981, kompania u regjistrua zyrtarisht si “Microsoft”.

Gatesit i atribuohet thënia se një ditë çdo shtëpi do të ketë të paktën një kompjuter. Në vitin 1977 kjo dukej si fantazi, por 30 vjet më vonë, fjalët e tij u bënë realitet.

IBM. Si nisi gjithçka?

Pesëdhjetë vjet më parë, Silicon Valley ishte konsoliduar si një qendër moderne e teknologjisë, e shpërndarë pa ndonjë rend të qartë në pjesën veriore të Kalifornisë.

Megjithatë, industria e kompjuterëve ishte pak e rregulluar, çka i dha Microsoft-it një mundësi të hershme për të hedhur shortin dhe për të fituar.

Lideri i padiskutueshëm i teknologjisë kompjuterike në atë kohë ishte IBM. Në vitin 1980, Microsoft mori një porosi nga IBM për të krijuar një sistem të ri operativ. Deri atëherë, kompania nuk kishte zhvilluar sisteme operative dhe nuk kishte përvojë në këtë fushë.

Megjithatë, Gates vendosi të “luante budallain”, bëri blof dhe ia doli të bindë gjigantin kompjuterik t’ia jepte porosinë Microsoft-it.

Inxhinierët e IBM-it nuk besuan në takimin e parë se djali me flokë të çrregullta dhe me xhinse ishte drejtor gjeneral i kompanisë.

Kompjuteri i parë IBM PC, modeli 5150, që doli në treg më 11 gusht 1981. Reklama e IBM-së, SHBA.
Kompjuteri i parë IBM PC, modeli 5150, që doli në treg më 11 gusht 1981. Reklama e IBM-së, SHBA.

Rrethanat e kësaj kontrate mbeten të diskutueshme dhe vazhdojnë të jenë objekt spekulimesh edhe 45 vjet më vonë. A i vodhi Bill Gates teknologjinë që i përkiste një kompanie tjetër? Edhe nëse po, pronarët e asaj kompanie nuk mundën ta vlerësonin potencialin e produktit të tyre në atë kohë. Këtë, Gates arriti ta shohë.

Kur vizitoi laboratorin e Xerox-it, Steve Jobs pa aty disa ide që do të revolucionarizonin kompjuterët: miun dhe ndërfaqen grafike. Ndërsa inxhinierët e Xerox-it nuk i kishin dhënë shumë rëndësi, Jobs menjëherë kuptoi potencialin e tyre dhe si mund t’i sillte ato tek masa.

MS-DOS

Një element kyç i marrëveshjes mes Davidit [Microsoft] dhe Goliathit [IBM] ishte që Microsoft ruante të drejtën për të shitur sistemin e ri operativ MS-DOS edhe për kompani të tjera. Kjo rezultoi të ishte një faktor vendimtar, pasi MS-DOS u bë standard në industri.

Bill Gates.
Bill Gates.

Lëvizjet strategjike të Microsoft-it, të kombinuara me vendimin e IBM-it, hodhën themelet për ngritjen globale të MS-DOS dhe vulosën të ardhmen e Microsoft-it si kompani udhëheqëse në softuer. MS-DOS u përditësua herë pas here deri në vitin 2021 dhe ende përdoret gjerësisht, sidomos në vendet në zhvillim.

Edhe pse luajti rol kyç në revolucionin kompjuterik, Microsoft kurrë nuk është vendosur fizikisht në Silicon Valley, por në shtetin e Uashingtonit.

Microsoft bëhet kompani publike

Në mars 1986, kompania u listua në bursën teknologjike ‘NASDAQ’ me një çmim fillestar prej 10 centësh për aksion [të rillogaritur sipas vlerës së vitit 2024]. Në qershor 2024, çmimi i një aksioni arriti në 468 dollarë. Teorikisht, një dollar i investuar në Microsoft në vitin 1986 do të kishte sjellë një fitim prej 4.679 dollarësh në vitin 2024.

Bill Gates, atëherë 26 vjeç, u bë miliarderi më i ri në botë. Rreth 12.000 ish-punonjës të kompanisë u bënë milionerë falë pagesës së pjesës së pagës me aksione.

Si një fakt interesant, në vitin 2025 nuk është e mundur të blesh një shtëpi në Silicon Valley për një milion dollarë. Tani nevojiten të paktën 3 milionë.

Bill Gates, gjatë lansimit të sistemit operativ Vista nga Microsoft, më 29 janar 2007.
Bill Gates, gjatë lansimit të sistemit operativ Vista nga Microsoft, më 29 janar 2007.

Sot, 70 për qind e kompjuterëve personalë në botë përdorin sistemin operativ Windows të Microsoft-it.

Versioni i parë i Windows-it doli në vitin 1985, por epoka e artë për Microsoft-in ishte versioni i vitit 1995, që e vendosi kompaninë në skenën globale. Sot, Windows 10 është sistemi operativ më i përdorur në botë, me versionet më të vjetra që ende përdoren në cepa të largët të globit.

Mund të thuhet se sot Microsoft-i “shikon” nga çdo qoshe e planetit. Nëse thjesht shikon, apo më shumë vëzhgon, kjo mbetet çështje e interpretimit personal.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat