Sergio Conceicao, trajneri i i Milanit, doli në konferencë para takimit ndaj Napolit.
Si keni punuar me lojtarët që mbetën në “Milanello”?
Do të kishte qenë ideale ta kishim gjithë grupin në dispozicion, por kjo nuk ishte e mundur. 15 prej lojtarëve tanë kanë qenë me kombëtaret. Ata që mbetën, kanë bërë një punë ndryshe nga javët e tjera stërvitore.
Sfida e parë e juaja kundër Contes. Pse është e domosdoshme fitorja nesër në Napoli?
Me Antonion jemi përballur shumë herë si lojtarë, por kjo është hera e parë si trajnerë. Është një ndeshje e rëndësishme për objektivat tanë, do të bëjmë gjithçka për të marrë rezultat pozitiv. Për këtë arsye, ndeshja e nesërme është thelbësore. Duam të fitojmë, duke qenë të vetëdijshëm për cilësinë e kundërshtarit.
Ibra u rikthye pas tri javësh, çfarë biseduat me të në “Milanello”?
Ibra nuk mund të luajë nesër” (qesh). Me drejtuesit jemi në kontakt çdo ditë. Kemi punuar në një ambient të shëndetshëm, të mirë dhe me shumë uri për sukses. Unë duhet të flas vetëm për lojtarët dhe asgjë tjetër.
Abrahami ka qëndruar në “Milanello” për t’u stërvitur. A është e mundur që ta nisë nga minuta e parë ndaj Napolit?
Kemi punuar me të gjithë, duke u fokusuar te parimet e ekipit në të gjitha fazat e lojës. E kemi stimuluar shumë talentin dhe cilësitë e lojtarëve.
Çfarë ndeshjeje prisni kundër Napolit, që po lufton për titull?
Pres një Napoli cilësor, pasqyrë e trajnerit të tij, me agresivitet dhe intensitet. Me një sulmues që di të mbajë topin mirë si Lukaku dhe me Raspadori e McTominay, që depërtojnë. Lobotka është dirigjenti i mesfushës. Dimë çdo gjë për ta, kemi analizuar parimet e tyre dhe cilësitë e tyre, por fokusi ynë është te forcat tona. Jemi të gatshëm për një ndeshje të mirë. Më pëlqen të sfidoj më të mirët dhe Napoli është një nga ekipet më të mira në Itali.
A besoni te rikthimi në Champions League? A mund ta arrijë Milani vendin e katërt?
Nëse nuk do të besoja, nuk do të isha këtu. Ambienti është i mirë dhe i shëndetshëm për të pasur një fund sezoni në nivelin e duhur për Milanin.
Në përgatitjen e kësaj ndeshjeje, a keni marrë parasysh edhe sfidën e së mërkurës kundër Interit? Po angazhimet ndërkombëtare të lojtarëve?
Nëse përgatitim dy ndeshje njëkohësisht, rrezikojmë të mos e luajmë mirë asnjërën. Jemi përqendruar vetëm te transferta ndaj Napolit. Është e vërtetë që kemi lojtarë që kanë luajtur dy ndeshje me kombëtaret, por kemi një staf që i menaxhon mirë. Nëse do të luajnë apo jo, nuk varet vetëm nga kjo.
Loftus-Cheek është një “armë” e rëndësishme, si e shihni?
Është një lojtar që mund të luajë në disa pozicione, shumë i rëndësishëm për ekipin. Ruben mund të përdoret si trekuartist ose pak më i tërhequr. Varet nga strategjia dhe gjendja e tij fizike. Ka punuar mirë javët e fundit.