Ish-deputeti Myslim Murrizi ka ngritur akuza të rënda për një aferë korruptive që, sipas tij, ka vazhduar për 21 vite me kompaninë Bankers Petroleum, duke e cilësuar si “vjedhjen më të madhe të shekullit” ndaj pasurive nëntokësore të Shqipërisë.
Në një reagim publik, Murrizi pretendon se nga viti 2004 deri më sot janë përvetësuar rreth 15 miliardë euro nga nxjerrja e naftës shqiptare, pa u paguar tatim fitimi në arkën e shtetit. Sipas tij, kompania ka mbrojtje politike nga të dy krahët, duke akuzuar se ish-ministra dhe ish-deputetë të PS e PD kanë përfituar miliona euro përmes kontratave fiktive konsulence.
Murrizi ka përmendur tre studio ligjore që, sipas tij, kanë marrë mbi 13 milionë euro gjatë viteve të fundit, mes tyre edhe ajo e ish-ministrit dhe ish-deputetit të PD-së, Eduard Halimi, si dhe ajo e ish-deputetit të PS-së, Alket Hyseni. Ai thotë se këto pagesa janë bërë si “shpërblime” për mbrojtjen e interesave të kompanisë dhe heshtjen politike.
“Prej 21 vitesh, çdo ditë, treni ngarkohet tre herë me naftë nga Ballshi për në Vlorë, duke grabitur pasuritë e shqiptarëve. Asnjë deputet nuk ka guxuar të flasë për këtë, ndërsa qytetarët paguajnë çmimin më të lartë të karburantit në rajon,” shkruan ai, duke akuzuar partitë kryesore për bashkëpunim në heshtje.
Akuzat e Murrizit vijnë në një kohë kur Prokuroria e Fierit dhe SPAK po hetojnë aktivitetin e Bankers Petroleum. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kompania i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro, ndërsa hetimet kanë zbuluar skema të deklarimit të humbjeve dhe shmangies së tatimeve për më shumë se dy dekada.
Bankers Petroleum nuk ka dhënë ende një reagim publik mbi deklaratat e Murrizit.