Ish-kryeministri dhe kryetari historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të forta pas publikimit të raportit mbi zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si një dokument që zbulon mënyrën se si u përdor pushteti ekzekutiv për të manipuluar garën elektorale.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se përdorimi i fondeve publike dhe resurset shtetërore ka bërë të pamundur një garë të barabartë:
“Si mund të jetë garë e barabartë, kur ai që ka buxhetin e shtetit paguan 100 euro për pensionist, dhuratë për votë? Si mund të jetë garë e barabartë, kur fondet për fermerët, nga 34 milionë lekë, u rritën në 240 milionë, për të aplikuar vetëm 74 mijë fermerë, por paratë nuk u shpërndanë? Vetëm për mashtrim,” tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu përdorimin e automjeteve publike në fushatë:
“Mijëra automjete publike nga kryeministri dhe ministrat u përdorën për dy muaj rresht në garë elektorale. Kjo është një logjistikë gjigante krahasuar me kundërshtarin. Fusha ishte e pabarabartë,” shtoi Berisha.
Sipas tij, edhe patronazhistët janë përdorur për të favorizuar subjektin në pushtet, dhe ky fenomen nuk u konsiderua shkelje ligjore nga prokuroria:
“Prokuroria speciale deklaroi se patronazhistët nuk janë shkelje ligji. Kjo është e turpshme. Përdorimi i fuqisë ekzekutive për leje, legalizime dhe certifikata pronësie u denoncua qartë në raport,” tha ish-kryeministri.
Berisha denoncoi gjithashtu shpërblimin e karteleve me prona dhe investime të mëdha pas zgjedhjeve:
“Vetëm Fatmir Troplinit i janë dhënë 5 kulla në Durrës, përfshirë 54 katëshe dhe 12 pallate në tokë publike 38 mijë m². Dhëndri i tyre shpallet në kërkim, pasi fsheh mandatin e arrestit që solli Italia. Raporti fakton 100% të gjitha ato që kemi denoncuar tre muaj rresht përpara shqiptarëve,” përfundoi Berisha.
Deklarata e tij vjen në një moment kur partitë politike dhe organizatat ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për përdorimin e fondeve publike dhe resurseve shtetërore gjatë fushatave elektorale.



