Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi në një intervistë për CBS News se bombardimi amerikan mbi centralin bërthamor kyç të Iranit në Fordow ka shkaktuar dëme “serioze dhe të rënda” në objekt.
“Askush nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur në Fordow. Megjithatë, ajo që dimë deri tani është se objektet janë dëmtuar seriozisht dhe rëndë,” tha Araghchi në intervistën e transmetuar të martën.
Ai shtoi se Organizata e Energjisë Atomike e Iranit po kryen aktualisht një vlerësim të situatës, dhe raporti do t’i prezantohet qeverisë së vendit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se sulmet “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor iranian, megjithatë zyrtarët amerikanë kanë pranuar se do të duhet kohë për të vlerësuar plotësisht dëmet e shkaktuara nga operacionet ushtarake të fundjavës së kaluar.