back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëMinistria e Brendshme financon projekte sociale nga pasuritë e sekuestruara

Ministria e Brendshme financon projekte sociale nga pasuritë e sekuestruara

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi këtë të hënë se pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të rikthehen në shërbim të interesit publik.

Sipas saj, paratë dhe pronat që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie dhe privilegji, por do të përdoren për të mbështetur fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.

Në këtë kuadër, ministrja njoftoi se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh, e cila synon mbështetjen e organizatave jofitimprurëse për shndërrimin e pasurive të konfiskuara të krimit në projekte me ndikim real shoqëror.

Fondi total në dispozicion është 150 mijë euro dhe, sipas Koçiut, nuk vjen nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit që rikthehen në dobi të shoqërisë. Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura apo të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Koçiu ftoi të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke theksuar se pasuritë e krimit mund të shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.

Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë, parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi, asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit, trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe asistencën për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.

Sipas njoftimit zyrtar, aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga fushat prioritare. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026, ndërsa informacionet e detajuara mbi kriteret dhe procedurën e aplikimit janë të disponueshme në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat