Për momentin i takon vetëm të stërvitet.
Mario Mitaj mbetet pjesë e kampiones së Arabisë Saudite, Al Itihad, veçse nuk është ende në formën e duhur fizike dhe mbetet jashtë ekipit.
Mbrojtësi I kombëtares shqiptare dhe lojtari arab, Husem Auar, nuk u aktivizuan nga trajneri Loran Blank në dy miqësoret e luajtura deri tani gjatë fazës përgatitore.
Al Itihad u mund fillimisht 4-0 nga gjigandi I Turqisë, Fenerbahçe, që ka në stol Zhoze Murinjon, e pastaj 3-1 edhe nga skuadra portugeze, Vitoria Gimaresh.
Shpresohet që Mitaj të arrijë formën sa më shpejt e ndoshta mund të përfshihet në skuadër në miqësoren e tretë, që do të luhet ndaj rivalit anglez, Fulham, në Algarve të Portugalisë në 30 korrik.
Prapambetja në formë e 21-vjeçarit kuqezi është për shkak se ai u bashkua vonë me kampionen saudite, sepse ishte I angazhuar në ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës me Shqipërinë në qershor.
Sezonin e kaluar, mbrojtësi I majtë ishte një nga lojtarët më të mirë të Al Itihadit duke fituar përveç titullit, edhe Kupën e Mbretit, duke shënuar një gol e shërbyer dy asistë, e duke qenë ndër futbollistët më të vlerësuar, pavarësisht dëmtimeve.