Gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë” në News24, ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka zbuluar një episod nga vizita e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara, që lidhej me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Kryemadhi tha se kishte marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, i cili i kërkonte të mos merrte pjesë në një takim të planifikuar me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), në kulmin e debatit për emërimin e anëtares së GJK, Marsida Xhaferllari, kundër kandidatures së betuar para një notereje, për shkak të refuzimit të Presidentit të atëhershëm, Ilir Meta, për ta pranuar.
“Të mos harrojmë çështjen e Gjykatës Kushtetuese, të noteres tek Lana, presioni që do t’i bëhej Presidentit të asaj kohe Ilir Meta nga trupi diplomatik. Kam qenë në SHBA dhe kam kërkuar takim me përfaqësues të DASH, të cilët menjëherë më kanë pritur, dhe unë kam patur një mesazh nga Edi Rama për të mos shkuar në takimin që do kisha me drejtorin për Europën Juglindore, për të bërë një marrëveshje për moszgjedhjen e Marsida Xhaferllarit,” u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se DASH u njoh me presionin që ushtrohej nga institucionet diplomatike në Shqipëri, të cilat, sipas saj, manipuloheshin nga Romana Vlahutin, duke sjellë situatën që ekziston sot.
Kryemadhi kujtoi gjithashtu marrëdhënien e saj me Ilir Metën në atë kohë, duke theksuar karakterin emocional dhe jo politik: “Marrëdhënia ime me Ilir Metën ka qenë emocionale, dashurore. Nuk kam kërkuar të isha deputete që në 1992. Atëherë kam propozuar Ndre Legisin dhe më thonin ‘si s’të vjen turp’. Edhe në 1996 në Berat kam propozuar Erion Braçen. Nuk jam penduar sepse është i vetmi socialist në PS që ngre zërin për problemet e elektoratit dhe e bën me sinqeritet dhe ndershmëri.”



