Drejtori i Komunikimit i Partisë Demokratike, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka akuzuar Adriatik Lapajn se po kërkon të bëhet protagonist duke nxitur skenare dhune me policinë, si të porositura nga PD.
Sipas Lelas, ai i kishte dërguar një mesazh Lapajt, pasi Sali Berisha i kishte thënë se dera e tij ishte e hapur për të folur në ‘Foltoren’ e PD-së para Kryeministrisë. Lela shprehet se mesazhi ishte dërguar për të shmangur keqkuptimet dhe për të treguar transparencë ndaj mbështetësve të Lapajt.
“Adriatik, mos e qelb edhe ti, si aleati-armik Enxiu Shabani! I kam shkruar sot paradite të më telefonojë kur të ketë mundësi, për të treguar mesazhet mbështetësve të tij para se t’i ndërsejë dhe t’ia faturojë Berishës dhe PD dhunën e Policisë,” shkruan drejtori i komunikimit.
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj ka reaguar duke thënë se nuk e ka parë mesazhin dhe se nuk ka refuzuar të marrë pjesë në ‘Foltoren’ e PD-së.
Incidenti ka ndodhur pak minuta më parë, kur protestuesit e Lapajt u përplasën me policinë, pasi zona ku po zhvillohej protesta do të shërbente edhe për mbajtjen e Foltores së PD-së.
Lela shton se aktet e dhunës të përdorura ndaj mbështetësve të Lapajt janë të padrejta dhe i konsideron skenarët e dhunës si një lojë për protagonizëm dhe jo për opozitarizëm. Ai kritikon gjithashtu një qëndrim selektiv të autoriteteve, duke vënë në dukje se protesta para institucioneve të tjera, si Shtëpia e Bardhë, zhvillohen pa pengesa.
Incidenti ka rritur tensionet mes PD-së dhe Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ndërsa pritet që situata në zonën përreth Kryeministrisë të mbikëqyret nga policia gjatë orëve të ardhshme.



