Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi ditën e sotme “foltoren” e organizuar nga Ervin Salianji, duke e cilësuar atë si një axhendë personale. Në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, Berisha falënderoi strukturat e PD-së në Durrës, të cilat sipas tij “nuk u mashtruan nga axhenda personale e Salianjit”.
Berisha theksoi se:
“Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore, është një anëtar kryesie që ka një axhende personale. Në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme… Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrim më të madh. Këto 4 vite militanti demokrat ka votuar sa kurrë në ekzistencën e tij, dhe vota është mënyra e dëgjimit.”
Kreu i PD-së shtoi se Salianji po ndjek një axhendë personale dhe përgëzoi demokratët e Durrësit që nuk iu bindën këtij ndikimi.
“Ai po ndjek një agjendë personale dhe kaq. I përgëzoj demokratët e Durrësit që e braktisën. Ata ishin një grup të pakënaqurish sepse nuk u futën në listat për deputetë… Do ketë një llogaridhënie të plotë nga të gjithë strukturat”, u shpreh Berisha.
Berisha gjithashtu ironizoi kur u pyet nëse ndihet i sfiduar nga lëvizja e Salianjit, duke u përgjigjur thjesht: “Mos e pyet.”
Deklaratat e Berishës theksojnë tensionet brenda PD-së dhe vijueshmërinë e konfliktit mes strukturave zyrtare të partisë dhe iniciativave personale të anëtarëve të saj.



