I përfolur si një nga kandidatët e mundshëm të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Florian Haçkaj ka treguar publikisht se çfarë këshille ka marrë nga daja i tij, ish-kryebashkiaku dhe mjeku i njohur Halim Kosova.
Në një intervistë për emisionin Top Story, Haçkaj tha se Kosova, të cilin e konsideron mentor dhe shembull në jetë, i ka sugjeruar të mos futet fare në garën politike.
“Dajën tim e kam shembull në jetë dhe mentorin më të madh. E njeh shumë mirë terrenin në Shqipëri dhe partitë nga brenda. Ka besuar në idealizmin tim dhe më ka mbështetur për votën e diasporës. Për momentin, më këshillon të mos merrem fare me këtë punë,” – u shpreh Haçkaj.
Ai shtoi se pavarësisht këshillës së dajës, angazhimi i tij qytetar nuk është ndalur asnjëherë.
“Nuk kam ndaluar ndonjëherë së qenuri pjesëmarrës, përveçse kur u shkëputa kur më lindi vajza. Realizuam votën e diasporës. Pesë vite të dedikuara kësaj çështjeje kanë pasur shumë kosto për familjen time. Të qenit qytetar aktiv dhe ngritja e zërit ndaj padrejtësive nuk do të ndalojë kurrë,” – deklaroi ai.
Haçkaj theksoi se është gjithmonë i gatshëm të angazhohet për vendin, por vendimi për të hyrë ose jo në garën për Tiranën do të varet nga një proces më i gjerë brenda opozitës.



