Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, zhvilloi këtë të premte një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri, ku foli për ecurinë e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.
Gjatë fjalës së tij, Schieder theksoi se Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se është thelbësore që ky proces të mos pësojë hapa pas. Sipas tij, bashkëpunimi institucional në disa çështje po ecën mirë dhe në disa raste ka edhe unanimitet.
“Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociata. Vlerësimi i Komisionit Evropian në pranverë pritet të jetë pozitiv dhe Shqipëria do të ecë mirë. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre,” u shpreh Schieder.
Ai theksoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton për të përmbushur standardet evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit konkret të tyre. “Ideja e ligjit nuk është të kënaqet BE-ja me miratimin e tij, por të afrohemi me standardet evropiane në zbatim. Pas miratimit të legjislacionit ka ende shumë punë për të bërë,” tha raportuesi.
Schieder vlerësoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë ndaj reformave, veçanërisht reformën në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se ky proces ka reflektuar pozitivisht edhe në opinionin publik.
Ai bëri thirrje që Shqipëria të mos ngecë në vend apo të kthehet pas, duke theksuar rëndësinë e bindjes së publikut për procesin e integrimit. “Qeveria, opozita, media – të gjithë duhet të bëni maksimumin për të komunikuar qartë se ku ndodhet Shqipëria sot dhe ku duhet të arrijë,” u shpreh Schieder, duke shtuar se zgjerimi i BE-së duhet të bëhet një realitet konkret.
Gjatë konferencës, Schieder u pyet edhe për çështjen e heqjes së imunitetit të ministres Belinda Balluku. Ai u shpreh se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje që janë në hetim dhe se këto i përkasin institucioneve shqiptare.
“SPAK duhet mbështetur, por ne nuk komentojmë çështje që janë në hetim. Kjo i takon Parlamentit shqiptar dhe sistemit të drejtësisë,” tha ai.
Schieder shtoi se në disa raste vendimet mund të merren shpejt, ndërsa në raste të tjera është e nevojshme shqyrtimi i kujdesshëm i dosjeve, duke theksuar se afatet ligjore duhet të respektohen. Ai nënvizoi gjithashtu se aktorët politikë në Parlamentin shqiptar kanë siguruar se janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre institucionale.



