Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se shpreson që SHBA-ja të “qëndrojë e fortë” përballë kërkesave ruse për të hequr sanksionet si kusht për një armëpushim në Detin e Zi.
Moska ka deklaruar se një armëpushim detar i shpallur të martën për të lejuar kalimin e sigurt për anijet tregtare do të fillojë vetëm pasi të hiqen kufizimet perëndimore në tregtinë ruse të ushqimit dhe plehrat e përdorura në bujqësi.
I pyetur nga BBC nëse SHBA do t’i rezistonte presionit rus, Zelensky tha: “Shpresoj që po. Zoti e bekoftë, ata do ta bëjnë. Por do të shohim.”
Shtëpia e Bardhë tha të martën se delegacionet ruse dhe ukrainase kishin rënë dakord për një armëpushim në Detin e Zi pas tre ditësh bisedime të veçanta me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite.
Por disa orë më vonë, Kremlini lëshoi deklaratën e tij duke përfshirë një listë kushtesh.
Kërkesat e saj përfshijnë revokimin e sanksioneve perëndimore ndaj institucioneve financiare të përfshira në tregtinë bujqësore dhe rivendosjen e aksesit të tyre në sistemin ndërkombëtar të pagesave Swift – një rrjet që lehtëson mesazhet e sigurta financiare.