Florian Haçkaj, i përfolur si një nga emrat e mundshëm për kandidaturën e opozitës në Bashkinë e Tiranës, ka reaguar pas vendimit për të përfaqësuar garën aktori Florjan Binaj.
Në një reagim publik, Haçkaj falënderoi ata që e propozuan dhe qytetarët që i dhanë besimin, duke theksuar se procesit të nominimit i mungoi një debat i hapur dhe gjithëpërfshirës.
“Falenderoj me mirënjohje të gjithë ata që më propozuan, si dhe qytetarët që shprehën besimin dhe gatishmërinë për të më mbështetur si kandidat për Bashkinë e Tiranës. (…) Procesi i nominimit të kandidaturave jopolitike, pavarësisht profileve të nderuara, ka treguar mungesë të një debati të hapur dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm brenda forcave opozitare, por në kulturën politike në tërësi,” shkruan Haçkaj.
Ai e cilësoi vendimin për kandidaturën e Florjan Binajt si tashmë të marrë, duke e uruar për sukses:
“Vendimi për të përfaqësuar opozitën me kandidaturën e Florjan Binaj, mik i imi, mbështetës i kahershëm i ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ (…) është marrë tashmë, e unë i uroj suksese adashit në këtë garë sfiduese për Tiranën, duke i shprehur mbështetjen time të plotë.”
Haçkaj theksoi se angazhimi i tij për qytetin nuk lidhet me poste politike, por me bindjen për të kontribuar për të mirën e përbashkët:
“Shqipëria sot ka nevojë për më shumë përfshirje, bashkëpunim dhe dialog të vërtetë, përtej ndasive politike e militantizmit, në shërbim të qytetarëve,” përfundoi ai.