Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka shprehur kritika të forta ndaj aleancave të Partisë Demokratike, duke akuzuar se disa aleatë marrin mandate deputeti pa asnjë votë nga demokratët. Deklaratat e tij u bënë gjatë një interviste në A2 CNN.
Murrizi shigjetoi veçanërisht Partinë e Lirisë dhe Mesila Dodën, e cila mori mandatin nën siglën e PD-së, por në fillim të legjislaturës së re u shpall kandidate e pavarur.
“Ku e ke Mesila Dodën sot? Pse e qerasët nga 50 e çuat në 35 grupin e PD? Kanë votuar demokratët, kokërr vote nuk ke nga aleatët… Kjo është gallatë e madhe me demokratët. Mesila Doda e Shpëtim Idrizi bashkuan votat me Ramën. Shpëtim ka marrë 1500 vota, me kaq vota nuk del kryetar,” tha Murrizi.
Sipas tij, kreu i PD i ka dhënë “oksigjen” partisë së Ilir Metës, e cila me vetëm 7,800 vota mori katër mandate nga PD, duke dëmtuar demokratët që janë 12 vite në opozitë.
“E gjithë LSI mori 4 mandate me 7,800 vota, me nga 1,600 vota për mandat. Kjo qerasje vret demokratët. Prisja që 20 demokratë të hiqeshin nga puna, por u trajtuan si qeni në derë nga drejtorët e LSI,” tha Murrizi.
Ai theksoi se këto praktika të ndarjes së mandateve dhe privilegjeve brenda aleancave po dobësojnë besimin e demokratëve në PD dhe po i bëjnë ata të ndihen të tradhtuar pas 12 vitesh opozitë.