Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka reaguar pas përplasjes së Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, me demokratët e Kamzës gjatë një takimi. Ai përmendi incidentin me mbesën e shkrimtarit Martin Camaj, të cilën e nxori jashtë nga salla pas debatit.
Sipas Murrizit, sjellja e Nokës, e Sali Berishës dhe e grupit të njerëzve që ata mbajnë rreth vetes po dëmton rëndë Partinë Demokratike. Ai thekson se demokratët duhet të lejohen të flasin, pasi PD-ja është krijuar nga njerëz të lirë, me dinjitet dhe kurajo, që që nga Dhjetori 1990 kanë kontribuar për ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e forcës politike.
Reagimi i plotë i Myslim Murrizit
Murrizi shkruan:
“Pak me ngadal Flamur. Freno nëse nuk ke djegur komplet ferrotat, se nuk ta kanë fajin demokratët që prej vitit 2013 je bërë deputet pa u votuar nga qytetarët, duke u mbyllur me lista sipas kodit zgjedhor ‘bastard’ të Bylykbashizuar.
Anëtarët e PD nuk janë vartës tuaj dhe nuk paguhen, por janë idealistë, kurajozë dhe njerëz që kanë sakrifikuar shumë për çdo betejë të PD-së në 35 vite. Ti paguhesh Flamur prej vitit 2005 nga kontributi dhe sakrifica e tyre. Lëri të flasin, mos u bë si Muho Asllani apo Hekuran Isai. PD është krijuar nga njerëz të lirë me dinjitet dhe kurajo në Dhjetor 1990 dhe do të ekzistojë falë tyre.
Nga heshtja dhe servilizmi kemi kaluar 12 vjet në opozitë dhe sot jemi në ditët më të vështira të 35 viteve të ekzistencës, jo për shkak të debatit dhe mendimit ndryshe.
Qetësohu Flamur, se në PD secili ka ardhur për bindjet, programin, idealizmin dhe shpresën për një qeverisje më të mirë se e funderrinave që qeverisin sot dhe që kanë masakruar këtë popull në 45 vite komunizëm, jo sepse je ti sot sekretar, apo Berisha kryetar, apo Gazi me Gjekmarkajn dhe Bylykbashin nënkryetar.
Nuk i bën asnjë dëm PD-së kjo zonjë e nderuar, dhe çdo zë i tillë që buron nga shpirti rebel i çdo demokrati në çdo cep të Shqipërisë. PD-në e dëmton jashtë mase sjellja jote, Flamur, dhe e atij rrethi të ngushtë ‘butakesh’ rreth teje dhe Berishës, që nuk ju ka votuar askush në katër palë zgjedhje dhe ngrifen sikur keni në dorë jetën e kujtdo që mendoni se është vartës i juaji, vetëm sepse është anëtar i PD-së apo opozitar me Ramën.”



