back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaMurseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt/ Dodaj dënohet për...

Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt/ Dodaj dënohet për shitjen e armës

Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për akuzën “vrasje e rëndë”, teksa Prokuroria dha detaje të aktakuzës dhe tha se Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij.

I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, Granit Plava tha se zgjedh të mbrohet në heshtje, ndërkaq Tom Dodaj pranoi fajësinë.

Dodaj ishte përfshirë në akuzë, pasi i ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt. Ai më pas u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Për veprën penale, ai mund të dënohej deri me tetë vjet burgim.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, gjykatësja bëri të ditur se rasti ndaj Dodajt do të ndahet nga rasti ndaj tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Pas përfundimit të seancës, avokati i tij, Agron Kuçi, tha se Dodaj nuk i kishte njohur paraprakisht të pandehurit, por e kishte kuptuar se armën që e kishte shitur ishte përdorur për vrasje, vetëm pas publikimit në media të rastit të vrasjes së Liridonës. Kuçi tha se dënimi prej pesë vjetësh burgim është i lartë dhe i njëjti do të apelohet.

Ndërkaq, avokati i familjes së Liridona Ademajt, u shpreh i lumtur që shqyrtimi fillestar shkoi konform ligjit.

I pyetur nëse familja e Liridonës prisnin që Naim Murseli të deklarohej i pafajshëm, ai tha se provat në aktakuzë “janë aq të qarta sa që edhe sikur të pranonte, nuk do të ishte diçka e re. Edhe mospranimi i fajësisë është diçka e pritshme, por edhe sikur ta pranonte nuk do të ishte çudi”.

Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, gjatë seancës që zgjati mbi dy orë më 31 janar, tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.

Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej me 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Të premten, në gjykatore Prokuroria lexoi aktakuzën ndaj të pandehurve. Aty u tha se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.

Dorasi, sipas aktakuzës, ishte Granit Plava, ndërkaq Kokalla ishte ai që kishte gjetur Plavën për të kryer këtë akt.

Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës

Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.

Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Murseli të përfitonte këtë sigurim.

Prokuroria tha se Naim Murseli ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë nuk kishte pranuar të kryente vrasjen, dhe e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën.

Prokuroria tha se të tre më pas janë pajtuar që Plava të vriste Liridonën dhe Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro.

Ndërkaq, në këtë rast Tom Dodaj u përfshi pasi në ditën e vrasjes, Murseli kishte blerë nga ai një pistoletë, e firmës Zastavëm dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, tha Prokuroria, ishte vrarë Liridona Ademaj.

Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në Bërnicë të Prishtinës, përkatësisht në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, të cilët u tha se inskenuan skenën e krimit me qëllim që të dukej si grabitje.

“….Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria.

Naim Murseli në sallën e gjyqit më 31 janar 2025.
Naim Murseli në sallën e gjyqit më 31 janar 2025.
“Plava e qëlloi nga afër Liridonën”

Sa i përket të pandehurit të dytë, Granit Plavës, në aktakuzë përshkruhet si personi që shtiu me një plumb drejt Liridonës.

Sipas Prokurorisë, në Bërnicë, në vendin ku paraprakisht ishin marrë vesh me Murselin për të kryer vrasjen, ky i fundit, teksa po udhëtonte me veturën ku gjendej viktima dhe dy fëmijët e çiftit i ka bërë shenjë me dritat e veturës Plavës.

“Ai më pas ka dalë para veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar. Ndërkaq, Naim Murseli ka ndaluar dhe ka fikur motorin dhe e ka mbajtur me dorë Liridonën. Granit Plava, për kompensim në shumë prej 30.000 eurosh, nga afërsia e drejtpërdrejtë, përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë dhe e ka qëlluar në kokë Liridonën, në pjesën prapa veshit të majtë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse dhe për pasojë ka vdekur në vendin e ngjarjes”, tha Prokuroria.

Autoritetet thanë se gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij është gjetur pistoleta Zastava dhe 19 fishekë, armë me të cilën Prokuroria tha se u krye vrasja.

Ndërkaq, Kushtrim Kokallës, sipas autoriteteve, i ishte kërkuar nga Murseli që të gjejë “mundësi” për vrasjen e Liridonës dhe ai e kishte njoftuar atë me Plavën. Autoritetet e akuzojnë se ishte në dijeni për vrasjen e Liridonës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për këtë vepër penale.

Çfarë ndodhi në nisje të seancës?

Në nisje të seancës të premten, sërish pati ankesa nga një avokat mbrojtës se kishte pasur vështirësi në qasje në shkresat e lëndës.

Gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se më 30 janar ka pranuar një email nga Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, që thotë se CD-të e pranuara për lëndën, nuk hapen.

Ajo i kishte kërkuar që t’i merrte këto materiale në seancë. Gjatë seancës, u ftua IT-ja i gjykatës, i cili hapi të katër CD-të që kishte avokati Dodaj.

Gjyqtarja tha se me këtë konstatohet se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve. Ajo shtoi se me këtë konstatohet se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet, sa i përket materialeve.

Më pas, gjyqtarja vazhdoi me leximin e të drejtave të të akuzuarve. Edhe këtu pati një situatë mes avokatit Dodaj dhe gjyqtares.

Kjo pasi Kushtrim Kokalla ishte i vetmi i akuzuar që deklaroi se nuk i kuptonte të drejtat e tij, që ia lexoi gjykatësja. Avokati Dodaj kërkoi konsultim me klientin e tij, por gjykatësja Fatime Dermaku tha se po i drejtohej të akuzuarit, duke i kërkuar avokatit që të mos pengonte procedurën.

Gjykatësja më pas i shqiptoi vërejtje me shkrim avokatit të Kokallës dhe e paralajmëroi se herën e ardhshme do ta dënonte me gjobë.

Me sjelljen e gjykatëses ndaj avokaatit Dodaj nuk u pajtua ekipi mbrojtës i Naim Murselit. Gjykatësja shqiptoi një gjobë prej 500 eurosh ndaj mbrojtësit të Murselit, Shemsedin Piraj, për prishje të rendit dhe qetësisë.

Tom Dodaj, që po mbrohet në liri, duke hyrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjendet në Pallatin e Drejtësisë.
Tom Dodaj, që po mbrohet në liri, duke hyrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjendet në Pallatin e Drejtësisë.

Përveç të të akuzuarve, në sallën e gjyqit më 31 janar të pranishëm ishin edhe babai dhe vëllai i Liridonës.

Tom Dodaj, që u dënua për shitjen e armës me të cilën u krye vrasja, ishte i vetmi që u pa nga mediat duke u futur në gjykatore, para se të niste seanca. Të pandehurit e tjerë, ishin futur brenda Gjykatës Themelore, në Pallatin e Drejtësisë nga një hyrje tjetër, larg syrit të mediave.

Megjithatë, pak para nisjes së seancës, ata u sollën nën masa të shtuara sigurie brenda sallës së gjykimit./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat