Kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit që kulmuan me dorëheqjen e kandidatit Zeqir Kordhoni dhe marrjen e mandatit nga Kleana Xhuveli, e cila është familjare e afërt e kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shabani theksoi se Xhuveli është “motrë e Adriatik Lapajt, jo e imja”, duke ironizuar vendimin e këtij të fundit për të aktivizuar emrin e saj në listë dhe duke e akuzuar për veprime të pamatura që kanë dëmtuar seriozitetin e koalicionit.
“U mbars mali dhe… Njëmijë akuza. Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im, po motra e Adriatik Lapajt!”, shkruan Shabani.
Në reagimin e tij, Shabani i kthehet dhe akuzave të mëparshme të Lapajt, duke e kujtuar se ishte vetë ai që deklaronte se koalicioni mund të bëhej ‘vota e 84 e Ramës’, ndërkohë që tani vetë Lapaj flet për “lutje nga Rama për bashkëqeverisje”.
“Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!”, vijon ai me ironi.
Kreu i “Nisma Thurje” nënvizon se mandati i Kleana Xhuvelit nuk do të kishte qenë i mundur pa votat e Nismës, duke përmendur rezultatin real të 11 majit si një reflektim i dështimit të projektit për 71 mandate që, sipas tij, Lapaj kishte ndërtuar mbi iluzione.
“Tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit”, shkruan Shabani.
Ai e mbyll reagimin e tij me një ton më të qetë, duke u shprehur se nuk do të “djegin jorganin për një plesht” dhe se vazhdojnë të respektojnë shumë prej anëtarëve të “Shqipëria Bëhet”.
“Adriatikut ia kam falur se nuk diti çfarë bëri. Uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta, siç kam nxjerrë unë të miat.”