Rritja e çmimit të naftës në 224 lekë për litër, vendosur nga Bordi i Transparencës, ka sjellë reagimin e Konfindustria, e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria për të shmangur pasoja të rënda ekonomike.
Në një deklaratë publike, Konfindustria i bën thirrje ekzekutivit të rishikojë në mënyrë të plotë politikën fiskale dhe rregullatore në tregun e karburanteve, duke theksuar se rritja me rreth 30% e çmimeve mund të sjellë një inflacion prej të paktën 6% dhe një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 2.8–3%.
Sipas saj, situata aktuale krijon rrezik real që ekonomia shqiptare të hyjë në recesion gjatë vitit 2026 dhe në vijim, sidomos në kushtet e përkeqësimit të situatës ndërkombëtare dhe ndikimit të krizës energjetike.
Organizata kërkon masa konkrete, duke nisur nga ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve, të paktën në nivelin mesatar të vendeve të rajonit. Sipas Konfindustrisë, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka marrë masa lehtësuese të prekshme për krizën e karburanteve.
Po ashtu, ajo e konsideron të pamjaftueshme ndërhyrjen për uljen e akcizës vetëm në rastet kur çmimi i naftës arrin 220 lekë për litër, duke paralajmëruar se diferenca në rritje e kostove me vendet e tjera të rajonit rrit rrezikun për falimentime në industri dhe goditje të forta për konsumatorët.
Ndër propozimet e tjera, Konfindustria kërkon shndërrimin e Bordit të Transparencës në një Ent Rregullator të përhershëm për karburantet, si dhe krijimin e një operatori me kapital shtetëror në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Sipas të dhënave, tregu i karburanteve në Shqipëri ka një qarkullim vjetor prej rreth 2 miliardë dollarësh dhe përbën afro 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor strategjik për ekonominë e vendit.



