Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që zhvillohet në Porto të Portugalisë. Në krye të delegacionit opozitar, Berisha mbajti një fjalim para pjesëmarrësve ku vuri theksin mbi nevojën për rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Ai informoi për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe denoncoi shkeljet e ashtuquajtura të “makinerisë elektorale të Edi Ramës”, duke iu referuar edhe raportit të OSBE-së mbi procesin zgjedhor.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi me forcë se Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për krijimin e një “narkodiktature”.
“Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë, këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Pak javë para zgjedhjeve, ai miratoi me dekret mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj,” tha Berisha.
Këto akuza vijnë në kulmin e tensioneve politike dhe kritikave ndërkombëtare lidhur me integritetin e zgjedhjeve dhe situatën e sigurisë në vend.