Shumica socialiste ka avancuar nismën për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që lidhet me mundësinë e pezullimit të zyrtarëve shtetëror gjatë hetimeve. Dokumenti zyrtar, i publikuar nga TCH, mban firmat e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe deputetit Ulsi Manja, si nismëtarë të ndryshimit ligjor.
Propozimi ligjor është dërguar tek kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me qëllim që të kalojë për diskutim fillimisht në konferencën e kryetarëve dhe më pas në komisionet parlamentare për shqyrtim më të thellë.
Shtesa e propozuar parashikon vetëm një ndryshim të vogël në nenin 242, por shkaktoi kundërshti të forta nga opozita, e cila e konsideron këtë si një mburojë për zyrtarët ndaj hetimeve të ardhshme të SPAK.
Ky zhvillim po ndiqet me vëmendje edhe nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Dy ditë më parë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se:
“Ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor dhe që të mos prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë.”




