back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 22 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaNdërpritet sërish seanca konstituive/ Çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës

Ndërpritet sërish seanca konstituive/ Çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës

VV s’i pati as sot votat, kërkon kohë shtesë për marrëveshje politike

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot marrëveshje politike për të gjetur zgjidhjen për kandidatin për kryeparlamentar.

Siç tha Glauk Konjufca, kjo kërkesë për të gjetur shumicën, në mënyrë që të mos përsëritet situata e njëjtë e bllokimit për konstituim, transmeton klankosova.tv.

”Ne kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë”.

AAK bën thirrje për ndërrim të kandidatit për kryetar të Kuvendit

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Sipas Haradinajt, ata do të veprojnë njësoj si në seancën e kaluar, nëse është emri i njëjtë.

Ndryshe, edhe të shtunën, AAK ka deklaruar se janë të gatshëm ta mbështesin Shqipe Selimin apo Saranda Bogujevcin për kryetare të Kuvendit.

Limaj: Kosova do t’i fitojë institucionet e saj

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Kosova do “t’i fitojë institucionet e saj”, teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.

Limaj, i cili ka qenë i hapur për koalicion me partinë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk tregoi nëse do ta votojë kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ai me dy deputetët e tjerë të Nismës nuk e kishin votuar Haxhiun në seancën e së shtunës.

Krasniqi, VV-së për kryeparlamentarin: U takon t’i bëjnë votat nëse munden

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi nuk ka ndryshuar qëndrim mbi çështjen e votimit të kandidatit për Kryeparlamentar të partisë propozuese.

”Jemi sot këtu për të ecur përpara”.

”Për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit është përgjegjësia e atyre që e propozojnë dhe besoj se atyre u takon edhe që t’i bëjnë votat nëse munden, nëse jo, besoj që duhet mendojnë edhe opsionet tjera që parashihen me Kushtetutë”.

I pyetur nëse zgjedhjet janë opsioni, Krasniqi pasoi me përgjigjen: ”Gjithmonë!”.

Rexhaj i VV-së tregon që s’i kanë votat: Jemi në përpjekje për të bërë numrat për kryeparlamentarin

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj ka deklaruar se përsëri propozimi për kryeparlamentare është Albulena Haxhiu.

Ai tregoi se janë në përpjekje për t’i bërë numrat.

“Po shkoj lart, kemi një mbledhje. Ne do ta përsërisim përsëri propozimin për Haxhiun. Jemi në përpjekje për të bërë numrat për kryeparlamentarin dhe për formimin e qeverisë. Jemi në konsultime dhe në dialog me Nismën. Së shpejti do ta kemi një përfundim. Është vendimi i VV-së për propozimin, jo nuk kemi ndonjë propozim tjetër”, tha Rexha, raporton EO.

Abdixhiku: LDK do të votojë njëjtë sikur herët e kaluara

Para nisjes së vazhdimisht të seancës konstituive, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka deklaruar para mediave.

Abdixhiku tha se ky subjekt politik do të votojë njëjtë sikur herën e kaluar.

Ai theksoi se partia që drejton nuk ndan bindjet e njëjta me subjektin e parë.

“Kam dëgjuar që partitë tjera kanë gatishmëri për të votuar kandidatë tjerë, ndoshta dhe duhet gjetur gjuhën e kompromisit me ato parti që kanë gatishmëri. LDK do të vazhdojë të votojë njëjtë sikur herët e kaluara sepse nuk ndajmë bindjet e njëjta me partinë e parë. Për të gjitha tjerat më pas është në duart e partisë në pushtet”, tha Abdixhiku para mediave.

Çitaku: PDK me qëndrim të njëjtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë ky subjekt politik mban qëndrimin e njëjtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit edhe sot.

“Grupi më i madh parlamentar nuk ka bërë përpjekjen më të vogël që të kontaktoj grupet e tjera parlamentare për ndonjë emër konsensual. Sot nuk ka ndryshuar asgjë dhe nuk ndryshon”, ka thënë ajo, raporton EO.

Peci e pranon, VV insiston në Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Faton Peci nga Guxo, ka pranuar se Lëvizja Vetëvendosje me të cilët janë partnerë koalicioni, ende nuk ka ndërruar qëndrim për kandidaturën për kryeparlamentar.

”Deri në këtë fazë, Albulena [Haxhiu] është”, u shpreh ai para gazetarëve, transmeton klankosova.tv.

Ky insistim i tyre vie anise në tentativat paraprake nuk e kishin shumicën, ndërsa as për seancën e sotme nuk ka një definim të qartë!

”Do ta shohim a i kemi numrat”.

Lahi Brahimaj: Shqipe Selimin do ta votoja për kryetare të Kuvendit

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka thënë se do të votonte deputetën e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, për kryetare të Kuvendit.

“Unë e kisha votu Shqipe Selimin, gruan e bashkëluftëtarit tim, se të tjerët”, ka thënë Brahimaj.

“Nuk e di. Nuk jam zëdhënës i tyre. Por, nëse e ndryshon VV-ja emrin, është mirë që dhe ne ta ndryshojmë qëndrimin”, deklaroi ai para mediave.

Sipas tij, nëse mbetet emri i njëjti as Aleanca nuk e ndryshon qëndrimin.

Lushaku para seancës: Të shohim nëse ka reflektuar VV dhe a i ka siguruar votat

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu është deklaruar para seancës lidhur me propozimin për kryetar të VV-së.

Ajo tha se sot presin që të ketë një propozim të ri për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

“Ne presim që të kemi një emër të pranueshëm për të gjithë deputetët. I takon partisë së parë për propozimin e emrit, neve si parti e tretë nuk na takon që të propozojmë një emër. Të shohim nëse ka reflektuar dhe a i ka siguruar votat”, ka thënë Lushaku pak para fillimit të seancës.

A i ka numrat VV-ja për kryetar të parlamentit, ja çka thotë Pacolli

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka folur para vazhdimit të seancës së sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Po presim me votuar kryetarin e Kuvendit. Ne i kemi votat, veç duhet me votuar edhe opozita”, tha ajo.

Sot për herë të katërt do të mblidhen deputetët e zgjedhur të legjislaturës së re për ta konstituuar parlamentin.

Seanca e kaluar që u mbajt të shtunën u ndërpre për shkak se e Albulena Haxhiu, e propozuara për kryetare nga radhët e Vetëvendosje, nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme.

Haxhiu në dy raste i mori 57 vota për, 20 votuan kundër dhe tre abstenuan.

Deputetët arritën konsensus tek raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve, duke e votuar dhe kështu duke i hapur rrugë betimit dhe zgjedhjes së kryekuvendarit/es.

Betimin e bënë, por i/e pari/ja e Kuvendit nuk u zgjodh

Partitë që në legjislaturën e kaluar ishin opozitë, PDK, LDK dhe AAK, deklaruan se nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Ata bashkarisht deklaruan se nuk kanë vota për kandidatët/et e propozuar nga VV-ja për këtë pozitë.

Paris Guri i LDK-së ironizon: E votoj, veç nëse e propozojnë Agim Bahtirin

Deputetët kanë filluar të mblidhen për t’i zgjedhur kreun e Kuvendit dhe katër nënkryetarët.

Paris Guri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është pyetur nga gazetarët nëse do të japin votë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentare.

Ai ironizoi se “E votoj, veç nëse e propozojnë Agim Bahtirin”, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, LVV siç duket do të vazhdojë edhe sot me propozimin e njëjtë, Albulena Haxhiun.

Qalaj i PDK-së thotë se nuk e votojnë Haxhiun për kryeparlamentare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se nuk do ta votojnë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetareparlamentare.

“Jo nuk do e votojmë për shkak se konsideroj se kandidati që është propozuar pë kryeparlamentar nuk është i denjë. Para se kush do të jetë i takon koalicionit fitues mirëpo unë personalisht nuk do e votojmë”, ka thënë Qalaj.

Deputetët mblidhen sot në tentimin e katërt për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Më 19 prill është bërë betimi i deputetëve dhe më pas Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Ndërkaq, sot pritet që LVV-ja të vendosë edhe njëherë emrin e Haxhiut në votim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat