Ndërtimet pa leje në zemër të Thethit kanë sjellë pasoja të menjëhershme në radhët e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, njoftoi sot shkarkimin nga detyra të disa drejtuesve të lartë të policisë në Shkodër, si dhe pezullimin e disa efektivëve të tjerë, për shkak të mosveprimit ndaj shkeljeve të ligjit.
Të shkarkuar nga detyra janë drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj, si dhe shefi i Komisariatit të Shkodrës, Nik Nikolla. Ndërkohë, shefi i Stacionit të Policisë në Theth është pezulluar menjëherë dhe ndaj tij është hapur një procedurë disiplinore.
“Shefi i stacionit të Thethit me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm ka zgjedhur të mos jetë më pjesë e Policisë së Shtetit. Nuk ka më arsye që ai të mbajë uniformën,” – deklaroi Ilir Proda në një konferencë për mediat.
Ai shtoi se procedura disiplinore ka nisur edhe për inspektorin e zonës dhe disa specialistë krimesh, të cilët po ashtu janë akuzuar për neglizhencë në detyrë.
Paralajmërime për qarqet e tjera
Proda ishte i prerë edhe në mesazhin që dha për drejtuesit e policisë në qarqet e tjera të vendit:
“Përgjegjësia për ndërtimet pa leje nuk mund të mbetet vetëm te një inspektor. Kushdo që nuk vepron ndaj shkeljeve të ligjit, nuk ka vend në Policinë e Shtetit,” – u shpreh ai.
Ky reagim i fortë vjen pas publikimit të pamjeve dhe raportimeve për ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike në Theth, një nga zonat më të mbrojtura dhe të vizituara turistike në veri të vendit.
Policia ka nisur tashmë hetimet për të identifikuar edhe përgjegjës të tjerë, përfshirë ata që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe çdo zyrtar që mund të ketë qenë në dijeni apo bashkëpunim me shkelësit.



