Këshilli i Ministrave miratoi sot kontratën e koncesionit për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtje, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj.
Hapja e autostradës së re Thumanë-Kashar do të pasojë me ndërtimin e rrugës Kashar – Lekaj (Rrogozhinë), pjesë të Korridorit Blu, Murriqan – Kakavijë, që lidh veriun me jugun e vendit.
‘Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 9, e 41, pika 2, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Gjoka Konstruksion”, sh.a., “Junik” sh.p.k., “Cobial”, sh.p.k., “Pepa Group”, sh.p.k., “UDHA”, sh.p.k., “Geoportal”, sh.p.k., dhe “A&E Engineering”, sh.p.k., që i bashkëlidhet këtij vendimi’, thuhet në vendim.
Segmenti Kashar-Pezë-Lekaj me gjatësi 26.6 kilometra ka kosto 474,8 milionë euro. Ky aks do të përshkohet për 25 minuta.