back to top
18.5 C
Tirana
E martë, 24 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNdërtuesit kundër taksës 8%/ Paralajmërohet rritje e çmimeve të apartamenteve

Ndërtuesit kundër taksës 8%/ Paralajmërohet rritje e çmimeve të apartamenteve

Zbatimi i taksës 8% të ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, njësoj si në Tiranë, po shtrihet edhe në bashkitë e mëdha si Durrës, Vlorë, Fier dhe Shkodër, duke rritur kostot për sektorin e ndërtimit në rrethe.

Në Fier, ndërtuesit kanë propozuar pranë këshillit bashkiak uljen e kësaj takse nga 8% në 3%, duke argumentuar se niveli aktual po rëndon ndjeshëm aktivitetin e tyre. Bashkia ka njoftuar se konsultimet për këtë propozim do të nisin më 2 prill.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çuko, njëkohësisht edhe ndërtues, paralajmëron se taksa në nivelin aktual rrezikon të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të apartamenteve, në rast se zhbllokohet dhënia e lejeve të ndërtimit, e cila sipas tij ka qenë e pezulluar prej rreth 12 vitesh.

Ai thekson se krahasimi me Tiranën nuk qëndron, pasi tregu është i ndryshëm. Në Fier, çmimet e shitjes arrijnë deri në 900 euro për metër katror, ndërsa në Tiranë variojnë nga 2,000 deri në 3,000 euro/m². Për këtë arsye, ndërtuesit e shohin uljen e taksës si një mundësi për të nxitur investimet dhe për të rigjallëruar sektorin.

Aktualisht, me një çmim prej 900 euro/m², taksa 8% përkthehet në rreth 72 euro për metër katror, ndërsa me nivelin 3% do të zbriste në 27 euro/m². Edhe sipas çmimeve të referencës, detyrimi bie ndjeshëm nga 4,960 lekë/m² në 1,860 lekë/m².

Sipas Çukos, presioni për rritjen e çmimeve nuk lidhet vetëm me taksën, por edhe me rritjen e kostove të punës dhe materialeve të ndërtimit. Ai përmend rritjen e ndjeshme të çmimeve për shërbime si shtrimi i pllakave dhe suvatimi, si dhe pagat e fuqisë punëtore, që kanë arritur deri në 5,000 lekë në ditë për një punëtor të thjeshtë.

Ndërkohë, në bashkitë e tjera, taksa 8% është tashmë në fuqi ose aplikohet pjesërisht sipas zonave, si në Durrës, Vlorë dhe Shkodër. Të dhënat tregojnë se kjo taksë po sjell të ardhura në rritje për pushtetin vendor.

Sipas Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, në vitin 2024 u arkëtuan rreth 18.5 miliardë lekë nga kjo taksë, 42% më shumë se një vit më parë. Peshën kryesore e mban Tirana me mbi 53% të totalit, e ndjekur nga Durrësi dhe bashki të tjera.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu një rritje rekord të sipërfaqes së dhënë për ndërtim, që arriti mbi 1.9 milionë metër katrorë në vitin 2024, rreth 36% më shumë se një vit më parë.

Në këtë kontekst, ndërtuesit paralajmërojnë se nëse nuk rishikohet niveli i taksës dhe nëse zhbllokohen lejet e ndërtimit, rritja e çmimeve të apartamenteve do të jetë e pashmangshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat