Një tjetër element që hedh hije dyshimi mbi çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është mënyra se si janë administruar materialet hetimore, sipas avokatit Plarent Ndreca.
I ftuar në emisionin “Breaking”, Ndreca ngriti pikëpyetje serioze mbi përgatitjen e një volumi shumë të madh dokumentesh brenda një kohe tepër të shkurtër, duke e cilësuar situatën të pazakontë.
“Si kanë arritur të fotokopjojnë për më pak se 12 orë 60 mijë faqe… ne nuk e kuptojmë,” u shpreh ai.
Sipas avokatit, një situatë e tillë lë vend për dyshime të forta mbi mënyrën se si është menaxhuar dosja, duke sugjeruar dy mundësi: ose vendimi ka qenë i paracaktuar, ose është angazhuar një numër i madh punonjësish për të përfunduar dokumentacionin në kohë rekord.
“Ose këta e kanë ditur paraprakisht vendimin e gjykatës, ose është vënë në dispozicion e gjithë sekretaria e SPAK për të punuar së bashku,” deklaroi Ndreca.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e dorëzimit të materialeve, duke e cilësuar atë të parregullt dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.
“Kanë shkuar në qeli, pa njoftuar avokatin dhe i kanë thënë ‘ndaç merri, ndaç mos i merr’,” tha ai, duke shtuar se një veprim i tillë nuk përputhet me standardet e një institucioni që vepron sipas rregullave.
Sipas Ndrecës, këto veprime tregojnë një qasje problematike dhe cenojnë rregullat e paraburgimit, pasi, sipas tij, nuk lejohet hyrja në qeli në këtë mënyrë.
“Kjo nuk është sjellje e një institucioni që respekton ligjin, por e individëve që kanë shkelur rregullat,” theksoi ai.
Në përfundim, avokati u shpreh se të gjitha këto elemente krijojnë perceptimin e një procesi të nxituar, që sipas tij synon më shumë rezultate statistikore sesa garantimin e një procesi të drejtë.
“Këto janë tregues të një nxitimi që nuk ka për qëllim drejtësinë, por ndërtimin e një ‘fitoreje’ pa nisur ende loja,” përfundoi Ndreca.



