Gjyqtari i Durrësit, Shkëlzen Liçaj, paraqiti të mërkurën në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) një numër të konsiderueshëm vendimesh dhe aktesh për të mbështetur kundërshtimin ndaj kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për procedim disiplinor ndaj tij.
ILD ka kërkuar për gjyqtarin masën disiplinore të “uljes së pagës me 40% për një vit”, duke e akuzuar për vonesa në arsyetimin e vendimeve deri në 4 vjet, në disa raste të përsëritura gjatë viteve 2021–2023.
Në seancën e parë më 1 tetor, përfaqësuesi i ILD-së deklaroi se hetimi administrativ është bazuar në 13 ankesa për tejkalim të afateve ligjore.
Nga ana tjetër, gjyqtari Liçaj tha se vonesat nuk kanë ardhur për faj personal, por për shkak të mbingarkesës ekstreme të punës. Ai sqaroi se e kishte filluar detyrën në Gjykatën e Sarandës në vitin 2020, në një organikë të paplotë, ku menjëherë i ishin ngarkuar 145 çështje ekzistuese, përveç atyre të reja të shortuara.
Sipas tij, pandemia dhe mungesa e gjyqtarëve e kanë përkeqësuar situatën, duke bërë që në një moment të kishte në ngarkim mbi 600 dosje. Liçaj tha se kishte gjykuar jo vetëm në Sarandë, por edhe në Përmet e Gjirokastër, ndërsa pas transferimit të përkohshëm në Durrës, kishte vijuar paralelisht edhe me çështje në Sarandë.
“Ka pasur ditë që në Sarandë nuk kam zhvilluar ndonjë gjyq, por kam zhvilluar në Përmet e në Gjirokastër. Madje, ka pasur raste kur kam gjykuar në të tre gjykatat”, deklaroi Liçaj.
Ai tha se ka sjellë prova, dokumente dhe certifikata familjare, për të vërtetuar periudhat kur ishte me ngarkesë të lartë apo për arsye personale.
Përfaqësuesi i ILD-së kërkoi kohë për të vlerësuar dokumentet e dorëzuara përpara se të hartojë konkluzionet përfundimtare, të cilat pritet të paraqiten në seancën dëgjimore pasardhëse.



 
                                    