Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nga takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, tha se reforma e ndërmarr nga qeveria për pensionet do të garantojë rritje pensionesh edhe për këtë kategori.
“Ne kemi nisur një aksion të madh kundër informalitetit ekonomik, për të siguruar më shumë të ardhura për fondin e pensioneve. E dimë se dalja në pension është një proces, e për këtë qeveria është e angazhuar për: Rritjen e pensioneve, duke nisur nga ato më të ulëtat. Përmirësimin e shërbimeve shoqërore për pensionistët, duke garantuar akses më të mirë në kujdesin shëndetësor dhe programe mbështetëse për një cilësi më të lartë jetese. Zhvillimin e politikave që synojnë të adresojnë sfidat e specifike të ish-punonjësve të sektorit të sigurisë, përfshirë ndihmën për familjet e dëshmorëve dhe përfitime më të mëdha për ata që kanë dalë në pension”, ka thënë Hoxhai.
Më tej ministri Hoxha shprehu vlerësimin e kontributit të ish-punonjësve të policisë, Gardës dhe zjarrfikësve gjatë misioneve në shërbim të vendit.
“Fakti se 227 Dëshmorë të Atdheut kanë humbur jetën në krye të detyrës është dëshmi e sakrificës për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është një borxh që shteti dhe shoqëria jonë nuk mund ta harrojë dhe nuk mund ta shpërblejë kurrë plotësisht. Frytet e punës suaj ndër vite janë të prekshme sot. Në vitin 2013, numri i vrasjeve me dashje në vend ishte 107. Sot, ky numër është ulur 3 herë, duke sjellë Shqipërinë në nivelin mesatar europian për kriminalitetin. Këto përmirësime nuk janë rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i punës suaj të palodhur, i reformave dhe investimeve në sektorin e sigurisë”, tha ai.