Fatmir Mediu ka bërë të ditura mesazhet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara lidhur me sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Ai thekson se administrata Trump ka qenë e qartë në qëndrimin e saj, duke kërkuar një drejtësi të pavarur dhe të pa influencuar politikisht, e cila nuk mund të përdoret për sulme ndaj politikës.
“Administrata Trump kërkon që të ketë një drejtësi të pavarur, të pa influencuar politikisht, e cila nuk mund të përdoret për sulme karshi politikës, por edhe një Prokurori më të fuqishme në luftën kundër karteleve të drogës”, tha Mediu për News 24.
Ai shtoi se një nga shqetësimet kryesore është lufta kundër karteleve të drogës, për shkak të lidhjeve të shqiptarëve në Amerikën e Jugut me aktivitetet e këtyre karteleve dhe ndikimin e tyre në Shqipëri. Delegacione të nivelit të lartë nga Departamenti i Drejtësisë kanë shprehur shqetësimin e tyre gjatë vizitave në SPAK dhe gjatë takimeve me institucionet shqiptare.
Mediu gjithashtu vuri në dukje se mesazhet e SHBA nuk lidhen me sulme politike: “Nëse Ambasada do të thoshte që keni bërë mirë për kë keni goditur, kjo e tejkalon atë që diskutojmë për një drejtësi të pavarur”.
Kujtojmë se Mediu po gjykohet për çështjen e Gërdecit, por para çdo seance gjyqësore fluturon drejt SHBA, ku sipas tij lobon për të shmangur një dënim.