GJKKO-ja ka liruar nga “arresti në shtëpi” ish-drejtoreshën e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma.
Kjo e fundit po hetohet për inceneratorin e Tiranës.
Thoma tashmë do të jetë me masën “detyrim paraqitje”.
Njoftimi i GJKKO
Kërkuesi Alba Thoma më datë 02.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin/Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” dhënë ndaj shtetases Alba Thoma me vendimin Nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vazhduar me Vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me aktin Nr .07 (87-2024-31) ,datë 27.01.2024”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 228, pika 3, 229, 234 dhe 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me vendimin Nr. 685, datë 05.12.2024, vendosi
Pranimin e kërkesës së kërkueses/të pandehurës Alba Thoma me nr. 685 regj.them, datë regjistrimi 02.12.2024.Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, miratuar me vendimin nr. 07, datë 27.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe caktimin ndaj kërkueses/të pandehurës Alba Viktor Thoma të masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet kërkuesja/e pandehura Alba Viktor Thoma të paraqitet pranë oficerëve të policisë gjyqësore që do të përcaktohet nga prokurori, të hënën e parë të çdo muaji, ora 10.00
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.