Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar sot se të gjithë pensionistët në vend do të përfitojnë bonus fundviti që varion nga 100 mijë deri në 150 mijë lekë të vjetra, në varësi të nivelit të pensionit që marrin.
Sipas Malajt, ata që marrin pension nën 200 mijë lekë të vjetra do të përfitojnë 150 mijë lekë bonus, ndërsa pensionistët me pension mbi këtë shumë do të marrin 100 mijë lekë.
“Totali i fondeve të alokuara për bonusin e pensionistëve shkon në 9.7 miliardë lekë, duke përfshirë rreth 750 mijë pensionistë në të gjithë vendin”, deklaroi ministri gjatë prezantimit të ndryshimeve në buxhet në Komisionin e Ligjeve.
Malaj shtoi gjithashtu se qeveria ka një objektiv afatmesëm për rritjen graduale të pensioneve, duke theksuar se deri në fund të mandatit, pensioni minimal do të arrijë në 200 euro, ndërsa pensioni mesatar do të jetë rreth 400 euro.
Ky vendim pritet të lehtësojë disi barrën ekonomike të pensionistëve për periudhën e festave, në një kohë kur inflacioni dhe çmimet e konsumit vijojnë të ndikojnë ndjeshëm në buxhetet familjare.



