Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka miratuar një paketë të re lehtësuese që i vjen në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që kanë fatura të papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2023.
Në qendër të paketës është mundësia për pagesë me këste, deri në 240 këste mujore, si dhe ulje të kamatëvonesave për ata që shlyejnë menjëherë detyrimin.
Kush përfiton?
Përfituesit kryesorë janë:Familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë, personat me status të veçantë, të cilët mund të shlyejnë borxhin me këste duke filluar nga 1,200 lekë në muaj.
Ndërkohë, klientët familjarë të zakonshëm do të përfitojnë këste nga 2,800 lekë në muaj, me një afat maksimal deri në 240 muaj – në varësi të shumës së detyrimit.
Skemë e veçantë për bizneset dhe institucionet
Për klientët jofamiljarë – si bizneset private dhe institucionet publike – është ndërtuar një skemë e diferencuar. Ata që shlyejnë detyrimin menjëherë, përfitojnë ulje të kamatëvonesës:
70% ulje për klientët familjarë,
50% për klientët jofamiljarë,
100% për bizneset e vogla.
Kushtet për përfshirje në skemë
Për të hyrë në skemën e re klientët duhet të kenë paguar të gjitha detyrimet për vitin 2024 si dhe duhet të paguajnë këstin e parë brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Sipas OSHEE-së, kjo nismë synon të ndihmojë shtresat në vështirësi, të mbështesë biznesin e vogël, por edhe të garantojë stabilitetin financiar të kompanisë, për të vijuar investimet dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.