back to top
16.5 C
Tirana
E premte, 27 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetNga bordet te tanket/ Zgjerohet rrethi i “familjes” qeveritare

Nga bordet te tanket/ Zgjerohet rrethi i “familjes” qeveritare

Emërimi i Ermal Nufit si ministër i Mbrojtjes nga kryeministri Edi Rama ka ngritur pikëpyetje të forta, për shkak të profilit të tij dhe rrugëtimit të deritanishëm në administratë.

Nufi nuk është një figurë e panjohur në strukturat e pushtetit. Ai ka mbajtur një sërë postesh kyçe, kryesisht nën varësinë direkte të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në vitin 2021 ai ka qenë këshilltar ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për t’u ngjitur më pas në krye të bordeve dhe institucioneve me peshë të konsiderueshme në menaxhimin e investimeve publike.

Ermal Nufi
Ermal Nufi

Mes tyre spikat posti i kryetarit të Bordit të Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), institucion shpesh në qendër të kritikave për cilësinë e infrastrukturës dhe mënyrën e administrimit të fondeve për rrugët kombëtare. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe kryetar i Bordit të Agjencia Shtetërore për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), duke pasur rol në proceset që lidhen me të dhënat territoriale dhe infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor.

Lista e posteve vijon me anëtarësinë në bordin e Albpetrol, si dhe funksione të tjera në ndërmarrje dhe struktura shtetërore strategjike. Për shumëkënd, ky përqendrim rolesh në duart e një emri të vetëm ngre shqetësime mbi modelin e qarkullimit të pushtetit brenda një rrethi të ngushtë drejtuesish.

Kalimi i menjëhershëm nga sektori i infrastrukturës dhe energjisë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes shihet si një lëvizje e fortë politike nga ana e Ramës. Ministria e Mbrojtjes është një nga dikasteret më të ndjeshme, që kërkon ekspertizë në çështje sigurie kombëtare, strategji ushtarake dhe menaxhim krizash.

Emërimi i Nufit vjen pa një debat paraprak publik, siç ndodh rëndom në Shqipëri dhe pa një historik të njohur angazhimi në fushën e mbrojtjes apo sigurisë. Kjo ka shtuar dyshimet nëse kemi të bëjmë me një zgjedhje të bazuar në meritë profesionale apo me një tjetër riorganizim të brendshëm politik, ku besnikëria dhe afërsia me qendrën e vendimmarrjes peshojnë më shumë se përvoja specifike në sektor./E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat